Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është përballur me kritika pas vendimit për të dërguar komisioneren Dubravka Šuica në Uashington, për të përfaqësuar Bashkimin Evropian në seancën inauguruese të Bordit të Paqes një nismë e krijuar nga Donald Trump.
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, vendimi është marrë pa një mandat të qartë nga shtetet anëtare, duke ngritur shqetësime në planin politik, institucional dhe juridik. Çështja është diskutuar edhe në mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare, ku, sipas të njëjtave burime, presidentes i është bërë e ditur pakënaqësia lidhur me këtë hap.
Bordi i Paqes është prezantuar si një forum për çështje të paqes dhe sigurisë, por kritikët e shohin atë si një strukturë që synon të sfidojë rolin e United Nations në arkitekturën ndërkombëtare.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, u ka bërë të ditur shteteve anëtare se nisma “nuk ishte një ide e mirë, as për Komisionin dhe as për vetë vendet anëtare”, sipas burimeve të BE-së.
Megjithëse komisionerja Šuica merr pjesë në cilësinë e vëzhgueses, prania e saj shihet si një sinjal politik që i jep peshë forumit të ri. Një diplomat evropian ka paralajmëruar se ky veprim “nuk do të mbetet pa pasoja”.
Debati thellohet edhe për shkak të përmbajtjes së nismës, e cila, sipas kritikëve, parashikon një plan paqeje për Gazën pa përfshirjen e përfaqësuesve palestinezë, duke ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin dhe gjithëpërfshirjen e saj.
11 shtete anëtare pritet të marrin pjesë në seancën inauguruese. Hungaria dhe Bullgaria kanë aderuar zyrtarisht dhe do të përfaqësohen nga liderët e tyre. Italia, Rumania, Republika Çeke, Sllovakia, Greqia, Qipro, Polonia, Austria dhe Kroacia do të marrin pjesë si vëzhguese.
Italia dhe Rumania kanë konfirmuar gjithashtu praninë e ministrave të tyre të Jashtëm në ceremoninë inauguruese të forumit të krijuar nga Donald Trump.















