Gjendja e dëmtimeve te Bayerni po bëhet shkak për debat mes tifozëve anti-Inter në Itali, të cilët e shohin krizën e bavarezëve si një fat të madh për Interin në prag të përplasjes së dyfishtë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Megjithatë, edhe Simone Inzaghi ka problemet e tij, mes lojtarëve të dëmtuar, atyre në rikuperim dhe atyre që sapo janë kthyer dhe janë në rrezik për lëndime muskulore për shkak të ngarkesës fizike.
Duke numëruar mungesat për supersfidën e së martës së ardhshme në Mynih, Kompany ka pesë lojtarë të dëmtuar (plus dy në dyshim), ndërsa Inzaghi ka katër mungesa (plus tre në dyshim). Situata mund të përkeqësohet për Bayern-in, pasi Davies, Upamecano dhe Ito do të mungojnë për një periudhë të gjatë, ndërsa Neuer dhe Guerreiro janë në dyshim me shumë pak shpresa për rikuperim. Nga ana tjetër, Goretzka dhe Coman kanë më shumë mundësi të jenë të gatshëm.
Te Interi, lajmi më i keq është për Dumfries, rikuperimi i të cilit po vonohet dhe mund të zgjasë 3-4 javë të tjera. Taremi dhe Zielinski gjithashtu nuk do të jenë të gatshëm. Lajmi i mirë është rikthimi i kapitenit Lautaro Martinez, i cili – sipas Sky Sport – është kthyer të stërvitet me grupin dhe do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së shtunës ndaj Parmës. Dimarco dhe Arnautovic, të cilët vinin nga disa shqetësime fizike, janë stërvitur veçmas për arsye parandaluese, por pritet t’i bashkohen skuadrës të premten.
Për Simone Inzaghin, kthimi i Lautaros është lajmi më i mirë i mundshëm. Kapiteni argjentinas ishte i zhgënjyer që humbi derbin e Kupës së Italisë, por tani është gati për betejat e mëdha. Me Correa-n jashtë listës së UEFA-s, Taremin të dëmtuar, Arnautovic ende jo të rikuperuar plotësisht dhe Thuram që duhet të luajë më shumë se sa ishte parashikuar, Interi ka nevojë për freski në sulm. Rikthimi i Lautaros mund të japë shtysën e nevojshme për të vazhduar ëndrrën e ‘Tripletës’.