Arbana Osmani do të rikthehet në ekran si moderatore e spektaklit “Ferma VIP”, i cili pritet të nisë në muajin mars dhe do të vijë me një koncept tërësisht të ri televiziv. Edhe pse moderatorja ka zgjedhur të mos flasë ende publikisht për këtë projekt, burime pranë produksionit kanë konfirmuar rikthimin e saj në formatet reality.
Një nga kushtet kryesore të vendosura nga Arbana ka qenë përfshirja e saj direkte në përzgjedhjen e kastit. Sipas informacioneve, këtë sezon do të marrin pjesë personazhe VIP më të njohur se në edicionet e mëparshme, përfshirë edhe disa ish-banorë të “Big Brother VIP”, të cilët kanë qenë më herët të ftuar në emisionin e saj “Mirëmbrëma Yje”. Përveç moderimit, risi do të ketë edhe në regji, e cila do të drejtohet nga Eduart Grishaj.
Rikthimi i Arbanës në ekran shoqërohet edhe me kushte të qarta financiare dhe editoriale, ndërsa dihet se ajo ka pranuar një ofertë shumë të favorshme. Largimi i saj i mëparshëm nga televizioni dhe nga drejtimi i “Big Brother” ka qenë një zgjedhje personale, të cilën moderatorja e ka shpjeguar si nevojë për të mos humbur veten, pavarësisht suksesit, audiencës së lartë dhe përfitimeve financiare. Rikthimi me “Ferma VIP” pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme televizive të sezonit të ardhshëm.














