Më pak se një javë pasi Kuvendi i Kosovës u konstituua plotësisht, me kryetarin dhe pesë nënkryetarët, kushtetutshmëria e këtij procesi u vu në pikëpyetje nga Lista Serbe.
Kjo parti, më e madhja e serbëve në Kosovë, dorëzoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb, Nenad Rashiq, duke pretenduar se janë bërë shkelje kushtetuese dhe të rregulloreve.
Në ankesën e saj, Lista Serbe kërkoi që gjykata të vendosë një masë të përkohshme, për të ndaluar, siç tha, “veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”.
Nënkryetari nga komuniteti serb u zgjodh më 10 tetor, dhe ky post iu besua Nenad Rashiqit – i vetmi deputet i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Emri i tij u votua pasi asnjë nga kandidatët e Listës Serbe – e cila ka shumicën e vendeve të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend – nuk arriti t’i siguronte votat e nevojshme.
Me Kushtetutën e Kosovës, nënkryetari duhet të jetë nga “radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.
Ndërsa, sipas Rregullores, “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.
Gjithashtu, Rashiq u votua veçmas nga nënkryetari tjetër që përfaqëson komunitetet joshumicë – ndryshe nga praktikat e mëparshme, por me miratimin e Gjykatës Kushtetuese.
Nenad Rashiq dhe sfida për Kushtetutën
Bazuar në këto, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, vlerëson se zgjedhja e Nenad Rashiqit mund të mos ketë qenë në përputhje me Kushtetutën.
“Mund të them se Rashiq nuk e ka marrë nominimin nga së paku gjashtë deputetë serbë në Kuvendin e Kosovës. Nga kjo premisë, mund të konkludohet se ka pasur shkelje kushtetuese në procesin e zgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Ai përmend edhe rastin e Emilija Rexhepit, e cila u zgjodh nënkryetare nga komunitetet joserbe jashtë pakos me kandidatin serb – ndryshe nga praktikat e mëparshme.
Megjithëse situata, sipas tij, duket e qartë, Miftaraj zgjedh të jetë i kujdesshëm në parashikime.
“Gjykata Kushtetuese ka ditur të na befasojë, ka ditur t’i ndërrojë standardet, t’i ndërrojë praktikat. Prandaj, në këtë fazë, është problem të kesh një qëndrim se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, thotë ai.















