“Nuk dinë çfarë dreqin po bëjnë”, tha Donald Trump për Izraelin dhe Iranin. Një frazë që u përhap me shpejtësi në mediat ndërkombëtare dhe që i mbajti të gjithë pezull. “A ka mbaruar lufta apo jo?”, pyesnin udhëheqës, biznesmenë dhe gazetarë nga çdo cep i botës, duke dëgjuar një Trump edhe më të papërmbajtur se zakonisht.
Nuk ishte sharja në vetvete problemi. Asnjë president amerikan nuk ishte shprehur ndonjëherë në atë mënyrë në kulmin e një krize ndërkombëtare. Problemi qëndronte te fakti se Trump, duke u përpjekur të shfaqej si “i rrituri në dhomë” përballë “fëmijëve rebelë”, në fakt reflektonte pamjen e kundërt, atë të pasigurisë. I një lideri që më shumë se të tjerët, nuk e di çfarë po bën me saktëSI.
Në orët para këtij komenti, “improvizuesi i madh” kishte nxjerrë nga goja çfarëdo lloj deklarate. Për shembull, kishte falenderuar regjimin që sapo e kishte bombarduar dhe i kishte kërcënuar me shfarosje, për faktin se e kishte paralajmëruar përpara sulmit të tyre ndaj bazës amerikane në Katar, një hakmarrje thuajse e dakordësuar, për të shmangur përshkallëzimin.
Dhe mbi të gjitha, kishte dhënë një “goditje teatrale” me njoftimin e papritur të armëpushimit, natën mes të hënës dhe të martës, përmes rrjetit të tij Truth Social: një armëpushim me konture të mjegullta, që palët e përfshira e shpërfillën për disa orë. Presidenti amerikan ndërkohë ndryshonte rol në mes të skenës, nga “komandanti luftarak në krah të Izraelit”, në ndërmjetësin e mërzitur me Izraelin që po i rrezikonte marrëveshjen.
Urgjenca e Trump ishte të hiqte nga vetja etiketën “Taco” (siç e përqeshin rivalët, lojë fjalësh me karakter nënvlerësues), imazhin e “mburravecit” që flet shumë, por s’bën asgjë. Tani që tregoi fytyrën e “Tnaco” (Trump NOT always chickens out – Trump-i që jo gjithmonë tërhiqet), duke hedhur bomba që s’kishin rënë kurrë më parë, ai duket i gatshëm të rikthehet si “ndërtues paqeje”, ndonëse paqet që ndërton janë gjithnjë të rrëmujshme, por që ai i paraqet si zgjidhje përfundimtare. Dhe ndoshta janë, nëse armëpushimi do të qëndrojë.
A ka mbaruar vërtet “Lufta 12-ditore”?
Kështu e quajti vetë Trump këtë përballje, duke përdorur një paralele me “Luftën 6-ditore” të vitit 1967. Por ai krahasim historik nuk ngjall aspak qetësi. Gjashtë vite pas asaj lufte nisi një tjetër që paralizoi ekonominë botërore. Prandaj, pyetja e vërtetë është nëse palët do ta përdorin këtë armëpushim për paqe të qëndrueshme apo për të përgatitur përplasjen e radhës.
Në çfarë ore fillon armëpushimi?
Detajin më të rëndësishëm, Trump nuk e sqaroi. Postimi i tij pas mesnate thoshte se armëpushimi do të niste “pas rreth 6 orësh, kur Izraeli dhe Irani të kenë përfunduar misionet përkatëse”. Një formulim tepër i paqartë, që u kthye në justifikim për të goditur edhe një herë. Izraeli shfrytëzoi mundësinë për të eliminuar disa shkencëtarë iranianë dhe drejtues të milicive Basiji. Ndërkohë, trupat iraniane goditën me raketë një pallat në Beer Sheva, duke vrarë katër persona.
Zemërimi i Trump
Tensionet mes presidentit amerikan dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu u rritën dhe Trump nuk e fshehu. “Sapo ramë dakord për armëpushim, Izraeli lëshoi më shumë bomba se kurrë më parë. Nuk jam i kënaqur me Izraelin. As me Iranin. Por më së shumti me Izraelin”, tha ai. Më pas, një tjetër postim i ashpër për Tel Avivin. “Është shkelje, tërhiqni pilotët” dhe Izraeli e ndali fushatën, jo pa një goditje të fundit simbolike ndaj një radari të vjetër. Që nga ajo pikë, armëpushimi ka qëndruar.
Çfarë bilanci ka kjo luftë?
Nga pikëpamja e humbjeve njerëzore: 29 izraelitë të vrarë, të gjithë civilë në goditjet me raketa që depërtuan mbrojtjen ajrore. Sipas organizatës Human Rights Activists, në Iran janë vrarë 974 persona, 387 civilë dhe 268 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Autoritetet iraniane pranojnë 610 viktima. Por në planin politik dhe strategjik, pasojat janë shumë më komplekse dhe do kohë për t’u kuptuar.
Trump – i fituar, për momentin
Nga këndvështrimi i tij, Trump ka dalë mirë. E ka zhdukur imazhin e “të pavendosurit” dhe ka rikthyer profilin e liderit të fortë, që nuk ngurron të përdorë forcën, por që synon marrëveshje. Sulmoi Iranin me bombardues B2 dhe goditi thellë në zemër të objektivave bërthamore, diçka që asnjë president tjetër para tij nuk kishte guxuar ta bënte. Dhe ndërkohë shmangu përfshirjen në një konflikt të stërzgjatur, siç paralajmëronin analistët. Ndërprerja e menjëhershme e ofensivës qetëson gjithashtu përçarjen në kampin republikan, mes izolacionistëve dhe ndërhyrësve. Por nga këndvështrimi ndërkombëtar, ka një ndjesi pasigurie ndaj një lideri kaotik që merr vendime i vetëm dhe nuk ofron garanci për aleatët.
Irani – i përgjakur, por ende në këmbë
Duket se regjimi i ajatollahëve e “kaloi sërish lumin”. Udhëheqësit e tij, prej ditësh, jetonin me frikën e eliminimeve dhe e ndjenin fundin pranë. Por ndryshimi i regjimit, i paralajmëruar nga Netanyahu dhe i përfolur nga Trump, nuk ndodhi. Ish-komandanti amerikan David Petraeus thotë se nuk ekziston një opozitë e organizuar që mund të rrëzojë regjimin nga brenda. Sipas Greta Privitera, ishte vetë ajatollahu Khamenei që mori ultimatumin amerikan: “Nëse nuk pranoni armëpushimin brenda 24 orësh, do vijmë për ju.” Përgjigjja: armëpushim i pranuar. Më pas, propaganda e regjimit e ktheu humbjen në “fitore morale”.
Por a ishte vërtet humbje për programin bërthamor?
CNN, bazuar në burime të inteligjencës amerikane, thotë se dëmet e sulmeve janë më të vogla nga sa thotë Trump. Fordow dhe objektiva të tjerë mund të rikthehen në funksion për disa muaj. Madje, mendohet se pjesa më e madhe e uraniumit të pasuruar është zhvendosur para sulmit. Vali Nasr, një nga ekspertët më të mëdhenj për Iranin, thotë se rreziku më i madh i regjimit janë vetë qytetarët e vet, të lodhur nga një sistem që i ka shtypur për tri breza. Siç e tha një vajzë iraniane për gazetaren Greta Privitera: “Na bombarduan dhe na lanë me imamët e gjymtuar, gati për të na shtypur edhe më keq.”
Izraeli, një fitore që lë shije të hidhur
Edhe Netanyahu shpalli fitore, por bilanci i tij është i paqartë. Trump pati nevojë të “bërtiste” që ai të ndalte ofensivën, një sinjal se Netanyahu kishte ndërmend ta çonte luftën më tej. Edhe pse shërbimet sekrete izraelite u treguan të jashtëzakonshme, “mullahët” janë ende në pushtet. Dhe mungesa e një vizioni afatgjatë për të ardhmen e rajonit, mbetet shqetësuese. Pas kësaj “shpërqendrimi” dyjavor, Gaza rikthehet në qendër të vëmendjes. Lufta me Iranin, sado e diskutueshme në aspektin ligjor, perceptohet si e justifikuar moralisht. Lufta në Gaza, megjithatë, prej kohësh është shndërruar në një masakër të pafund.
Shkrim nga Corriere della Sera