Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë për CNN të transmetuar mbrëmjen e sotme, ka folur në lidhje me tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Ai u shpreh se pala serbe i ka zbatuar të gjitha detyrimet ndërkombëtare nga Marrëveshja e Brukselit, ndërsa Prishtina nuk ka bërë të mundur krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Vuçiç ka theksuar se që nga ardhja në pushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka pasur 353 sulme me motive etnike ndaj serbëve, duke shtuar se ky është numri më i madh i incidenteve të tilla që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
“Vetëm këtë vit ka pasur pesë të shtëna kundër civilëve të kombësisë serbe. Serbët duan vetëm siguri dhe siguri për veten dhe familjet e tyre”, tha Vuçiç.
Vuçiç ka theksuar se Serbia është shumë e kënaqur me deklaratat e sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken dhe presidentit francez Emmanuel Macron lidhur me krizën në Kosovë.
Ai shtoi se Serbia nuk ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare me reagimin e saj ndaj krizës.
“Ne kemi respektuar edhe Marrëveshjen e Paqes të Kumanovës edhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk kemi hyrë në Kosovë me asnjë ushtar. Deri më tani kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë”, tha Vuçiç.
I pyetur se çfarë ka për t’u thënë qytetarëve protestues në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë tha se është thelbësore të ruhet paqja dhe stabiliteti.
“E di që ata janë të vendosur të mbrojnë vatrat e tyre dhe i kërkoj që të luftojnë në mënyrë paqësore dhe të ruajnë paqen dhe stabilitetin. Duhet të flasim me shqiptarët që të zbatohen të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Por gjithashtu do të kërkoja nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime vendimtare kundër atyre, veprimet e të cilëve kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e të gjithëve ne”, tha Vuçiç.