Ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla kundërshton vendimin e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kjo e fundit caktoi ndaj tij masën e sigurimit “arrest me burg” për një tender me vlerë mbi 2.8 milion euro, me akuzën e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Mbrojtja e Allës pretendon se akuza e shkeljes së barazisë në tendera e ngritur nga SPAK është e pabazuar dhe në shkelje të ligjit.
Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Saida Dollani do të vendosë nëse do e pranojë kërkesën e të pandehurit apo jo. Ndërkohë, seanca pas shortimit të gjyqtares, është caktuar të mbahet këtë të premte në orën 09:30 pranë Apelit të Posaçëm.
Lefter Alla u arrestua në mesin e muajit të kaluar, bashkë me 12 persona të tjerë, dy prej të cilëve u lanë në arrest shtëpie, zyrtarë të Bashkisë së Bulqizës apo përfaqësues të biznesit që përfituan tenderin.