Nga Giovanna Pavesi “Il Giornale”
Një personazh i errët, i padeshifrueshëm, dhe i torturuar nga e kaluara. Për një kohë të gjatë, në sytë e opinionit publik botëror, ish-presidenti i Serbisë dhe Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç, u shfaq pikërisht kështu. Si një individ kompleks, i padepërtueshëm dhe menjë përvojë personale tragjike.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Havier Solana, e quajti atë “një njeri të llogoreve, i mbyllur në një bunker dhe jashtë realitetit”, “një person me një shpirt të bunkerizuar” dhe ”një individ të vështirë për t’u marrë vesh”. I akuzuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ai vdiq ndërsa në qelinë e një burgu në Hagë, në pritje të gjykimit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
I perceptuar si një udhëheqës kontradiktor dhe i aftë për gjeste brutale, Millosheviç besohej të ishte krijuesi dhe pjesërisht përgjegjësi i drejtpërdrejtë për episodet më të këqija të spastrimit etnik kundër myslimanëve të Kroacisë, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës gjatë konflikteve ballkanike të viteve 1990.
Ndërsa për disa nacionalistë serbë ai ishte mbrojtës i identitetit të tyre, për të tjerët ai ishte një diktator, një manipulator, dhe personi që solli fundin e Jugosllavisë. Dikush e krahasoi atë me Adolf Hitlerin, dhe pavarësisht se u kontestua për autoritarizmin e tij, arriti të qëndronte në pushtet për një kohë të gjatë.
Millosheviç lindi më 20 gusht 1941 në Pozharevac të Serbisë. Djali i dytë i Svetozar Millosheviç, një prifti katekist, dhe Stanislava Koljensiç, mësuese dhe anëtare shumë aktive e Partisë Komuniste, jeta e tij u ndikua shumë nga vetëvrasja e të dy prindërve dhe një xhaxhai.
I ati vrau veten në vitin 1962, ndërsa ëma 10 vjet më vonë.
Sipas një studimi të thelluar të revistës gjeopolitike italiane “Limes” botuar më 10 janar 2000, të dyja ato ngjarje ndikuan shumë në jetën e tij të ardhshme publike. Sipas disa specialistëve të cituar në atë studim, në origjinë të konflikteve të tij (të brendshme dhe politike), janë padyshim faktorët socialë dhe ekonomikë, por të ndërthurura edhe ngjarjet e tij familjare.
Një element që pjesërisht, do të shpjegonte pasionin e tij “shkatërrues dhe vetë-shkatërrues” (ai humbi 3 luftëra), shpjegohet me këtë trauma të dyfishtë. Dy vjet pas vdekjes së babait të tij, Sllodoban u diplomua për drejtësi në Universitetin e Beogradit. Ai u martua me Mirjana Markoviç , e cila ishte jo vetëm partnerja e jetës, por një nga këshilltarët e tij më të të rëndësishme.
Karriera e tij nisi si anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, dhe vazhdoi më pas në Partinë Socialiste të Serbisë, ku ishte një nga themeluesit. Në vitin 1984, u emërua si sekretar i Federatës së Beogradit të Lidhjes Komuniste, dhe më vonë mbajti role të rëndësishme brenda partisë, falë miqësisë së tij me Ivan Stamboliç (i cilësuar si “kumbari” i tij politik).
Në korrikun e vitit 1990, ai u zgjodh president i partisë që bashkoi Lidhjen e Komunistëve dhe Lidhjen Socialiste të Punëtorëve të Serbisë. Mesi i viteve 1980 shënoi rilindjen e nacionalizmit serb, protagonist i të cilit u bë edhe Millosheviçi.
Më 24 prill 1987, ai shpalosi në Prishtinë të Kosovës një lloj manifesti të tij, para një turme të madhe serbësh që banonin në Kosovë. Duke iu referuar pretendimeve për një diskriminim të serbëve të Kosovës, Millosheviçi u shpreh:“Askush nuk ka të drejtë t’iu rrahë. Dhe askush nuk do ta bëjë më kurrë!”.
Në muajt që pasuan, ai akuzoi në mënyrë të nënkuptuar klasën politike jugosllave se nuk ishte angazhuar sa duhet në mbrojtje të serbëve të Kosovës. Ai u bë president i organit kolegjial të presidencës së Serbisë në majin e vitit 1989, dhe në vitin 1990 u bë presidenti i Jugosllavisë në një moment veçanërisht delikat për Ballkanin e ndarë midis aspiratave për pavarësisë dhe formave të urrejtjes ndëretnike, të nxitura nga grupe të ndryshme.
Në qershor 1991, Sllovenia e shpalli veten të pavarur pas një konflikti shumë të shkurtër me forcat jugosllave. Të njëjtin veprim bëri edhe Kroacia, ndaj së cilës Beogradi veproi me shumë egërsi. Më 8 nëntor 1991, ushtarët serbë shkatërruan plotësisht qytetin e Vukovarit, një simbol i bashkëjetesës paqësore midis serbëve dhe kroatëve.
Pas referendumit për pavarësi në Bosnje Hercegovinë në mars 1992, i kundërshtuar nga serbët e Bosnjës, konflikti shpërtheu edhe në këtë republikë federative. Millosheviç mbështeti politikisht dhe ushtarakisht serbët e Bosnjes. Pastrimi etnik që pasoi, çoi në masakrën e Srebrenicës në korrik 1995, ku mijëra boshnjakë myslimanë u vranë nga milicët e gjeneralit Ratko Mlladiç.
Konflikti përfundoi në 1995, me Marrëveshjet e Dejtonit. Millosheviç u zgjodh president i Republikës Federale të Jugosllavisë (me Serbinë dhe Malin e Zi) në vitin 1996, Më pas ai vijoi shtypjen e shqiptarëve të Kosovës. Pas dështimit të negociatave në Rambuje, në fundin e marsit 1999 NATO nisi bombardimin e Jugosllavinë, që vazhdoi deri në tërheqjen e ushtarëve serbë nga Kosova.
Ajo u vendos nën kontrollin e OKB, dhe ishte lufta e tretë e humbur nga Millosheviçi. Në tetor 2000 ai përjetoi humbjen politike në qendrat e votimit. Më 1 prill 2001, Millosheviçi u arrestua pas një rrethimi 2-ditor të shtëpisë së tij. Ai u ekstradua në Hagë më 28 qershor, dhe iu dorëzua Tribunalit Penal Ndërkombëtar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në konfliktet e ish-Jugosllavisë.
Ai nuk e njohu kurrë gjykatën, dhe kërkoi më shumë se 1 mijë dëshmitarë. Për të mbrojtur veten, tha se e kishte mbrojtur Evropën nga fondamentalistët islamikë dhe terroristët. Në marsin e vitit 2006, u gjet i pajetë në qelinë e tij në Hagë. Por pak para vdekjes, pati zëra se ai ishte helmuar.
Në janar të të njëjtit vit, mjekët identifikuan gjurmët e Rifampicinës në gjakun e tij, një ilaç që përdoret për të trajtuar tuberkulozin dhe lebrën, dhe që mund të ketë penguar efektin e ilaçeve që përdorte ish-presidenti për problemet e tij shëndetësore (tensioni i lartë dhe kardiopati).
Gjykata Penale Ndërkombëtare, urdhëroi një hetim për shkaqet e vdekjes, por autopsia përjashtoi përdorimin e atij ilaçi në ditët e tij të fundit të jetës. Bashkëshortja e tij e njohur me nofkën “Ledi Makbeth e Ballkanit”, ishte krahu i tij i djathtë. Ish mësuesja e sociologjisë, arriti t’i shpëtonte dënimeve gjyqësore, dhe u largua nga Serbia në vitin 200. Ajo vdiq në Rusi më 14 gusht 2019.
burimi:https://it.insideover.com/schede/politica/chi-era-slobodan-milosevic.html?_ga=2.68179671.711880945.1621273698-674219663.1619602573
Përshtatur për Tirana Today