Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet për të ardhurat vetjake dhe buxhetin e vitit 2026. Seanca do të fillojë në orën 15:00.
Ky zhvillim vjen pas disa ditësh bllokimi të transportit publik, për shkak të grevës së Trafikut Urban dhe operatorëve privatë të transportit, si edhe problemeve financiare të komunës. Situata ka shkaktuar radhë të gjata dhe vështirësi për qytetarët në qarkullimin urban.
Asamblistët e Vetëvendosjes kanë deklaruar se do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe do të votojnë pro bartjes së të ardhurave vetjake të kryeqytetit.
Asamblisti i kësaj partie, Egzon Azemi, ka deklaruar se është në kompetencë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të vlerësojë nëse vendimet e Kuvendit janë ligjore apo jo.
Ai tha se si parti nuk kanë qenë asnjëherë bllokuese në Kuvend.
“MAPL-ja është ajo që vlerëson çdo vendim të Kuvendit nëse është ligjor apo jo. Qëndrimi ynë është që për këtë pikë do të marrim pjesë në seancë. Është një mbledhje e thirrur shumë vonë. Këtë z. Rama ka mundur ta bëjë edhe në tetor, edhe në shtator, kur nuk do të kishte fare polemika”, tha Azemi.
Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe operatorët privatë protestuan dje para Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë duke kërkuar pagesat e tyre.
Sindikalistët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve publiko-privatë kanë deklaruar se grevën do ta vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.
Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, tha dje se mbledhja e sotme është legjitime dhe se, nëse nuk arrihet një rezultat, greva do të vazhdojë.
“Nëse nuk ka zgjidhje, greva vazhdon deri në alokimin e mjeteve që u takojnë operatorëve. Ne shpresojmë që nesër të përfundojë, shpresojmë se në këtë mbledhje do të mbizotërojë arsyeja”, tha ai.















