Behar Topilla, i njohur si i vetmi që mbijetoi në masakrën e Shavarinës në Drenas, ka ndërruar jetë. Lajmin e trishtë e kanë bërë të ditur familjarët, ndërsa më pas është konfirmuar edhe nga miq e bashkëfshatarë të tij.
Fatlum Nika, përmes një reagimi, tha se largimi i Beharit është humbje e madhe, sepse me të shuhet një zë i gjallë i dëshmisë për krimet e kryera më 1 maj 1999 në Gllanasellë.
“Në mesin e të mbijetuarve të masakrës së Shavarinës ishte edhe Behar Topilla. ‘Sole Survivor’, apo ‘I mbijetuari i vetëm’, ishte titulli i gazetës amerikane The Salt Lake Tribune, e cila kishte rrëfyer historinë e shpëtimit të tij pasi kishte mbetur i plagosur, i fshehur nën trupat e mbi 40 viktimave”, shkroi Nika, duke kujtuar se këtë rrëfim e kishte përdorur edhe në temën e tij të diplomës.
Topilla konsiderohej një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm të asaj masakre, histori që e kishte mbajtur gjallë për më shumë se dy dekada.
Masakra e Shavarinës, e kryer më 1 maj 1999 në fshatin Gllanasellë të Drenasit, është një nga krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Sipas dëshmive, dhjetëra burra dhe djem u ekzekutuan, ndërsa Behar Topilla ishte i vetmi që arriti të mbijetonte, duke u bërë dëshmitar kyç i tragjedisë.















