Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, pritet të zbarkojë në Kosovë gjatë javës së ardhshme, si pjesë e një turi diplomatik, që do të zhvillojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ambasada gjermane në Prishtinë ka bërë me dije se kreu i diplomacisë gjermane do të vizitojë gjashtë vendet e rajonit, me synimin për të thelluar bashkëpunimin dhe për të riafirmuar mbështetjen e Berlinit për integrimin europian të këtyre shteteve.
Turneu i Wadephul nis të dielën në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa më pas ai do të ndalet në Mal të Zi, Shqipëri dhe Serbi. Vizita në Kosovë është planifikuar për të martën pasdite, më 18 nëntor 2025, përpara se delegacioni të përfundojë udhëtimin të mërkurën në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai do të zhvillojë takime të veçanta me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas ambasadës gjermane, ky itinerar shënon angazhimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian.













