Pakistan dhe Afganistani kanë rënë dakord të zgjasin përkohësisht armëpushimin 48-orësh deri në përfundimin e bisedimeve ndërmjet dy palëve që po zhvillohen në Doha, Katar. Lajmi është konfirmuar nga tre zyrtarë të sigurisë pakistanezë dhe një burim nga talebanët afganë.
Sipas burimeve, një delegacion pakistanez ka mbërritur tashmë në Doha, ndërsa delegacioni afgan pritet të mbërrijë në kryeqytetin e Katarit të shtunën. Burimet kanë preferuar të mbeten anonime, pasi nuk janë të autorizuara të flasin për mediat.
Armëpushimi i përkohshëm, që hyri në fuqi të mërkurën, ndaloi përleshjet e ashpra që kishin përfshirë kufirin mes dy vendeve për disa ditë, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur gjatë javës së fundit.















