Një letër anonime me përmbajtje alarmante është zbuluar të premten pasdite në ambientet e Katedrales Notre-Dame në Paris, duke ngritur shqetësime serioze për një sulm të mundshëm gjatë fundjavës. Sipas gazetës Le Parisien, letra ishte shkruar me makinë shkrimi dhe u gjet pranë vendit ku vendosen qirinjtë, nga sakristani i katedrales. Në të thuhej qartë:
“Mos e hapni katedralen më 11 dhe 12 tetor. Do të ketë vizitorë të huaj të cilët, me ndihmën e vizitorëve të tjerë, kanë fshehur tashmë thika në katedrale ditët e fundit. Ata do të kryejnë një masakër. Ju lutem, mos e hapni katedralen.” Masat e sigurisë u shtuan menjëherë pasi letra u zbulua, stafi i sigurisë reagoi menjëherë duke njoftuar autoritetet dhe duke kryer një kontroll të detajuar në të gjithë ndërtesën. Edhe pse nuk u ndërmor një evakuim i menjëhershëm, masat e sigurisë u rritën ndjeshëm.
Policia është përfshirë në hetime për të identifikuar autorin dhe për të vlerësuar nëse kërcënimi është i vërtetë apo thjesht një alarm fals. Deri tani nuk është gjetur asnjë armë apo objekt i dyshimtë në katedrale. Ngjarja ndodh në një moment të ndjeshëm për Francën, e cila mbetet në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme për sigurinë kombëtare. Katedralja Notre-Dame, një nga simbolet më të njohura të kryeqytetit francez, është shpesh objekt i interesit për grupet ekstremiste, duke e bërë situatën edhe më delikate. Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë jo vetëm në Notre-Dame, por edhe në shumë zona të tjera të ndjeshme në Paris.