Për herë të parë që nga fillimi i konfliktit, uria është konfirmuar zyrtarisht në qytetin e Gazës, sipas një raporti të publikuar nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) – një organ i mbështetur nga OKB-ja dhe agjencitë ndërkombëtare për monitorimin e pasigurisë ushqimore.
Raporti ngre klasifikimin për qytetin e Gazës në Fazën 5, nivelin më të lartë të emergjencës për pasigurinë akute ushqimore, duke konfirmuar praninë e urisë së plotë në Guvernatoratin e Gazës, që përfshin qytetin dhe zonat përreth. IPC paralajmëron se “kushte katastrofike” pritet të përhapen edhe në Deir al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të muajit shtator.
Sipas raportit, më shumë se 500,000 njerëz në Rripin e Gazës janë aktualisht duke përjetuar “uri, mjerim dhe rrezik për jetën”. IPC e përshkruan situatën si “tërësisht të shkaktuar nga njeriu” dhe thekson se ajo mund të ndalet dhe të përmbyset, nëse veprohet menjëherë.
“Koha për debat dhe hezitim ka kaluar, uria është e pranishme dhe po përhapet me shpejtësi,” thuhet në raportin 59-faqësh të publikuar së fundmi.
Raporti bën thirrje për një përgjigje të menjëhershme dhe në shkallë të gjerë, duke paralajmëruar se:
“Çdo vonesë e mëtejshme – edhe me ditë – do të rezultojë në një përshkallëzim krejtësisht të papranueshëm të vdekshmërisë së lidhur me urinë.”
Megjithatë, autoritetet izraelite hedhin poshtë gjetjet e IPC-së, veçanërisht pretendimin për praninë e urisë në qytetin e Gazës. Koordinimi i Aktiviteteve Qeveritare në Territore (Cogat), organi ushtarak izraelit përgjegjës për çështjet humanitare në territoret palestineze, e ka quajtur raportin “të rremë”, duke pretenduar se ai “mbështetet në të dhëna të pjesshme, të anshme dhe informacione të ofruara nga Hamasi”.
Cogat e ka cilësuar raportin si “të njëanshëm” dhe thotë se ai shpërfill “përpjekjet humanitare të gjera të ndërmarra nga Izraeli në Gaza”.