Presidenti rus Vladimir Putin ka premtuar të zhvillojë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, tha sot sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.
Leavitt tha gjithashtu se SHBA-të po punojnë si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën “për ta bërë të mundur këtë marrëveshje dypalëshe”.
Ja çfarë dimë deri më tani për një takim të mundshëm Putin-Zelensky:
Trump tha se “në një farë mënyre” organizoi një takim midis udhëheqësve rusë dhe ukrainas, por “ata janë ata që duhet të vendosin gjërat”. Planet për takimin tani janë “në proces”, me “shumë opsione” që po diskutohen, tha Leavitt.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov refuzoi të angazhohej për një takim midis Putinit dhe Zelenskyt, por nuk përjashtoi mundësinë e bisedimeve të mëtejshme.
Zvicra është e hapur për të pritur bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë me pjesëmarrjen e Putinit, tha Ministri i Jashtëm Zviceran Ignazio Cassis për partnerin e transmetimit të CNN-së SRF. Cassis shtoi se qeveria zvicerane do të bëjë rregullime të posaçme për shkak të urdhër-arresteve të hapura të Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër udhëheqësit rus.
Po sot, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë pohoi se ky takim, me praninë edhe të Trump, mund të mbahej në Budapest, madje sëhrbimet sekrete amerikane janë të angazhuara që ky takim, me sigurinë që jep edhe kryeministri i Hungarisë, të zhvillohej sa më shpejt.
Së fundmi, ishte Bjellorusia ajo që garanton një takim mes Putin dhe Zelenskyt, por ky i fundit ka shumë pak gjasa të udhëtojë drejt Minskut, pasi Lukashenko është aleati kryesor i Rusisë.
Më herët janë përmendur edhe Stambolli, Vatikani, Roma, Katari, etj, por duket se këto vende për momentin kanë rënë të gjitha.