Në Itali flitet gjithnjë e më shumë për një emër që po shkëlqen me fanellën me numrin 10, Kenan Jildiz.
Futbollisti turk është bërë një figurë kyçe për Juventusin në këtë sezon të Serisë A, jo vetëm për fanellën legjendare që mban, por për kontributin e tij konkret në fushë. Me 6 gola dhe 5 asistime në kampionat, Jildiz ka arritur dy shifra me përfshirjen në golat bardhezi, duke u bërë lojtari më i ri, vetëm 20 vjeç që arrin këtë shifër në elitën e futbollit italian.
ME DHE PA JILDIZ- Statistikat flasin vetë, në 50 ndeshje të luajtura nga Juventusi këtë sezon, Jildiz ka qenë në fushë në 47 prej tyre, nga të cilat 37 si titullar. Me 3.180 minuta të luajtura, ai renditet i treti ndër lojtarët me më shumë minuta pas Lokatelit dhe Gatit. Dhe ndikimi i tij është i prekshëm. Kur ai është titullar, Juventusi fiton mesatarisht 2 pikë për ndeshje. Kur nuk është në formacionin fillestar, kjo mesatare bie në vetëm 0.92 pikë.
Diferencë që flet qartë për rëndësinë e tij. Nën drejtimin e trajnerit aktual, Igor Tudor, rëndësia e Jildiz është theksuar edhe më shumë. Me të në fushë, Juventusi ka regjistruar 4 fitore dhe 1 barazim, një mesatare mbresëlënëse prej 2.6 pikësh për ndeshje. Pa të, vetëm 2 barazime dhe një humbje. Dy gola dhe dy asistime të tij kanë rezultuar vendimtarë në rezultatet e fundit, duke forcuar pozitat e Juventusit drejt kualifikimit në Champions, një objektiv jetik për të ardhmen e klubit dhe për qëndrimin e vetë Jildiz në Torino.