Futbollisti 39-vjeçar Jose Hugo de la Cruz Meza ka humbur jetën në mënyrë tragjike në fushën e lojës në përballjen mes Juventud Belavista dhe Familia Chocca, pasi u godit nga rrufeja.
Ngjarja në fjalë është regjistruar në Peru, ku krahas personit që humbi jetën edhe 5 lojtarë të tjerë janë transportuar me urgjencë në spital. Pamjet janë shpërndarë me shpejtësi në mediat botërore, ndërsa në momentin e goditjes së rrufesë disa persona shihen menjëherë përtokë, por Jose pësoi vdekjen e menjëhershme.
Ndeshja u ndërpre në minutën e 23’ menjëherë pas ngjarjes tragjike, teksa edhe tifozët u detyruan të largohen nga stadiumi. Kjo nuk është hera e parë që regjistruan dukuri të tilla gjatë eventeve sportive, pasi muaj më parë një tjetër futbollist u godit nga rrufeja në Indonezi dhe humbi jetën, ndërsa po ashtu e njëjta gjë ka ndodhur dhe në ndeshje futbolli në Brazil.
Ekspertët kanë kërkuar të tregohet kujdes në zonat të cilat shpesh goditen nga rrufetë duke anuluar çdo lloj aktiviteti.