Policia e Kosovës e ka arrestuar një person të dyshuar për një vrasje të kryer në 2022.
Autoritetet operativo-hetimore në Prizren kanë identifikuar të dyshuarin M.A, shtetas sirian që dyshohet se më 18 qershor të 2022-s kishte vrarë 31-vjeçarin, J.H., shtetas irakian, në fshatin Vërmicë.
Arrestimi i tij është bërë në rajonin e Pejës dhe më pas është shoqëruar për në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Prizren.
Rasti po trajtohet si “vrasje e rëndë”, derisa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“I njëjti sot me date 15.10.2024, rreth orës 09:30, në Rajonin e Pejës është arrestuar nga Hetuesit dhe është shoqëruar për në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Prizren për procedura të mëtejme hetimore. I dyshuari në prezencë të avokatit mbrojtës dhe përkthyesit është intervistuar dhe është mbrojtur në heshtje. Të gjitha veprimet janë ndërmarr ne koordinim me prokurorin e shtetit, i cili dhe ka lëshuar Aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë”, thuhet në njoftimin policor.