Njw zjarri masiv ka një javë që është aktiv në ishullin portugez të Madeira. Observatori Evropian i Kopernikut njoftoi se zjarri ka djegur një sipërfaqe prej 44 mijë hektarësh ndërsa autoritetet lokale presin ardhjen e përforcimeve të reja nga Lisbona.
Deri dje, të martën, në mesditë, sipërfaqja e djegur nga ky zjarr arriti në 43.920 hektarë, pra 9.590 hektarë shtesë brenda 24 orëve, sqaron Copernicus në X. Rreth 100 zjarrfikës po punojnë në dy fronte që janë ende aktive.
“Përhapja më shqetësuese është tani në zonën e vargmalit qendror malor,” tha shërbimi rajonal i mbrojtjes civile në raportin që njoftoi mëngjesin e sotëm.
Erërat e forta, të cilat ndihmuan në përhapjen e zjarrit, kanë shkaktuar probleme edhe në trafikun ajror në Madeira dhe turistët kanë mbetur të bllokuar në ishull, por kompania që menaxhon aeroportin Funchal ka siguruar që funksionimi i tij rifilloi sot pa probleme.
Zjarri shpërtheu të mërkurën e kaluar në komunën e Ribeira Brava dhe më pas u përhap në komunat fqinje të Camara de Lobos dhe Ponta do Sol, të vendosura në bregun jugor të ishullit, në perëndim të kryeqytetit rajonal Funchal.
Rreth 200 njerëz u desh të evakuoheshin nga zona, kryesisht për të shmangur rrezikun e thithjes së tymit, por shumica e atyre banorëve më vonë mundën të ktheheshin në shtëpitë e tyre
Sipas autoriteteve lokale, zjarri deri më tani nuk ka shkatërruar asnjë shtëpi, po ashtu nuk ka të lënduar, ndonëse zjarrfikësit po tregojnë shenja lodhjeje.
Presidenti i shërbimit rajonal të mbrojtjes civile, Antonio Nunez, njoftoi në transmetuesin publik RTP se 45 zjarrfikës dhe shpëtimtarë po mbërrijnë sot si përforcime nga Lisbona, duke i shtuar 76-ve të dërguar tashmë fundjavën e kaluar nga qeveria spanjolle.