Zvicra: Vendi ku ndalohet burka, por ku kërkohen maska për fytyrën

Nga: Rim-Sarah Alouane  “Foreign Policy”

E goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, Zvicra është në një mbyllje të pjesshme që prej janarit. Maskat e fytyrës janë të detyrueshme kudo, nga transporti publik deri tek shpatet idilike ku bëhet ski mbi dëborë.

Por ky realitet nuk e ndaloi një shumicë të ngushtë votuesish zviceranë të shpreheshin pro ndalimit të mbulimit të plotë të fytyrës në hapësirat publike në një referendum të mbajtur më 7 mars. Ndalimi i ri nuk ishte i motivuar nga ndjenjat anti-maska.

Në fakt, ai nuk do të zbatohet për mbulesat e fytyrës që mbahen për arsye shëndetësore, tani ose pas pandemisë. Përkundrazi, kjo masë synon një pakicë të vogël grash myslimane që mbajnë burka ose nikab.

Dhe ndërsa nisma të ngjashme në Francë, Belgjikë, Bullgari, Hollandë, Danimarkë dhe Austri kanë qenë gjithmonë të diskutueshme, koha thellësisht ironike e ndalimit të burkës në Zvicër, tregon edhe njëherë se përpjekjet për të ndaluar mbulesat e fytyrës, nuk kanë pasur kurrë si shkak të vërtetë shqetësimet e supozuara të sigurisë për shkak të fshehjes së fytyrës në hapësirat publike.

Në thelbin e vet, ndalim i mbajtjes së burkës ka qenë gjithmonë një përpjekje për t’i margjinalizuar gratë myslimane -dhe këto masa ia kanë dalë me sukses që ta zhvendosin ndjenjën anti-myslimane në qendër të skenës politike zvicerane.

Referendumi në Zvicër, ishte produkt i një iniciative të “Egerkinger Komitee”, një grup avokimi që përfshin anëtarë të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) të krahut të djathtë, dhe synon t’i kundërvihet “pretendimeve për pushtet të Islamit politik në Zvicër”.

Duke argumentuar se “njerëzit e lirë e tregojnë fytyrën e tyre” dhe se “burka dhe nikabi nuk janë rroba normale”, ky grupim mblodhi në vitin 2017 100.000 nënshkrimet e kërkuara në një peticion për ta hedhur këtë çështje për votim në një referendum. Më 7 mars, 51.2 për qind e votuesve zviceranë e miratuan këtë ndalim.

Koha shumë ironike e ndalimit të burkës në Zvicër, dëshmon se nuk ka pasur në realitet shqetësime të supozuara të sigurisë. Sulmi ndaj veshjes së myslimanëve në Zvicër, nuk është ndonjë gjë e re. Myslimanët zviceranë kanë qenë nën vëzhgim që nga viti 2004, kur Zvicra mbajti një palë referendume mbi masat që do të lehtësonin marrjen e shtetësisë nga emigrantët e brezit të dytë dhe të tretë.

Mobilizimi i fortë i SVP-së kundër atyre nismave, i transformoi ato në referendume kulturore, mbi atë nëse myslimanët janë apo jo pjesë e komunitetit kombëtar zviceran, një koncept që u refuzua nga shumica e votuesve zviceranë.

Pastaj, në vitin 2009, “Egerkinger Komitee” propozoi një nismë që synonte të ndalonte minaret, me arsyetimin se ato janë një simbol i Islamit politik. Ajo u aprovua nga 57.5 për qind e votuesve zviceranë, pavarësisht kundërshtimit të organizatave myslimane që operojnë në Zvicër, por edhe udhëheqësve të kishës nga grupimeve të tjera fetare.

Në dhjetorin e vitit 2014, SVP u përpoq si fillim të ndalonte mbulimet e plotë të fytyrës përmes një nismë parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën Federale, duke argumentuar se burkat janë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Por Këshilli i Kantoneve Zvicerane e refuzoi atë në marsin e vitit 2017, me arsyetimin se numri i vogël i grave që mbanin burka në Zvicër, do të thoshte se nuk kishte prishje të rendit publik. Gjithashtu, ekzistonte shqetësimi se një ndalim i tillë, do të kishte një ndikim negativ në turizmin e atyre që vinin nga vendet e Gjirit Persik.

Ndonëse SVP dhe “Egerkinger Komitee” kanë qenë aktivë për dekada, referendumi që mbajti së fundmi Zvicra mbi ndalimin e burkës, nuk mund të shpjegohet pa një kontekst më të gjerë rajonal: domethënë, kriza e identitetit të Evropës në një botë të globalizuar multikulturore.

Zvicra është vetëm vendi i fundit që shpreh dhe qetëson këtë pasiguri kulturore duke menaxhuar dukshmërinë e myslimanëve dhe Islamit, të cilat perceptohen si një kërcënim politik, ideologjik dhe i sigurisë kombëtare për vlerat dhe civilizimin evropian.

Myslimanët për shekuj me radhë kanë qenë pjesë e strukturës demografike të Evropës, por ata vazhdojnë qëtë keqkuptohen dhe keq-prezantohen në media dhe politikë, ku Islami inkuadrohet shpesh si një fe e dhunshme, dhe myslimanët portretizohen si të paaftë për tu integruar në shoqëritë evropiane.

Sigurisht, ekziston një farë ankthi kulturor – rezultati i natyrshëm i ndryshimit të shpejtë demografik në kontinent -ndërsa shumica e sensacionalizmit ndërtohet, inkurajohet dhe nxitet nga partitë politike që kanë një interes të madh tek krijimi i një “problemi mysliman” të supozuar.

Furnizuesit e këtyre ideve, synojnë të bindin popullatën e gjerë, se Islami është një fe që është vetvetiu në kundërshtim me vlerat perëndimore, dhe se myslimanët duhet të zbuten dhe mbahen nën kontroll. Tani për tani, ata po fitojnë.

Në Zvicër, demonizimi i Islamit, myslimanëve dhe emigrantëve si armiqësorë ndaj të drejtave të njeriut dhe lirisë – të shprehjes, fesë dhe orientimit seksual – ka qenë prej kohësh një nga shtyllat kryesore të strategjisë elektorale të SVP, si dhe e partive të tjera populiste konservatore kombëtare si për shembull Unionit Demokratik Federal i Zvicrës dhe Lega Ticino.

Për shkak se kjo qasje i ka sjellë SVP-së fitore elektorale të panumërta – duke e shndërruar atë në një nga partitë më të fuqishme në vend -edhe forcat e tjera kanë nisur të përdorin strategjinë e saj. Kësisoj edhe në qarqet e krahut të majtë, ekziston tani një narrativë,që pretendon se Islami shkel standardet dhe praktikat demokratike.

Shumë zviceranë të majtë,besojnë se myslimanët janë veçanërisht të prirur ndaj përdorimit të dhunës ose terrorizmit,dhe se ata synojnë të ndërtojnë një shoqëri të bazuar tek feja si një shtyllë e rendit shoqëror, kulturor dhe politik.

Në Gjenevë, e majta ekstreme është e ndarë midis mbrojtësve të një interpretimi të vijës së ashpër të shekullarizmit – si Partia Laburiste zvicerane dhe partnerët e saj në koalicion – dhe atyre që mbështesin një model të hapur dhe gjithëpërfshirës që e njeh e dhe respekton multikulturalizmin, siç është Partia e Solidaritetit.

Debati i porsa ringjallur rreth shekullarizimit, pasqyron atë që po zhvillohet në fqinjen e tij, Francën. Në Francë, promovimi i laïcité (laicitetit) – marka franceze e shekularizmit -ka tubuar rreth vetes elitën politike dhe atë intelektuale që dëshiron të zhdukë dukshmërinë e myslimanëve në vend, dhe të zbatojë asimilimin e plotë të tyre nën maskën e neutralitetit ligjor.

Pasi u përdor dikur si një mjet liberal që mbronte lirinë fetare dhe atë të ndërgjegjes, laïcité po përdoret tani si një armë që kundërshton shprehjet publike të Islamit, të cilat konsiderohen si të papajtueshme me vlerat franceze, edhe pse këto të fundit janë të përcaktuara në mënyrë të mjegullt.

Gjatë viteve të fundit, si e djathta ashtu edhe gauche laïcarde (e majta laike), kanë shprehur mbështetjen për një kuptim më të ngushtë të lacité që i detyron myslimanët praktikantë-dhe veçanërisht gratë – të zhduken nga hapësirat publike.

Mospërcaktimi i “Islamit politik”, përbën një përfitim për islamofobët. Debati francez rreth laïcité dhe veshjes islamike arriti kulmin në verën e vitit 2016, kur disa qytete anembanë Francës e ndaluan mbajtjen e burkës. Ndalimet, që tani janë anuluar nga Këshilli i Shtetit, u prezantuan si një përpjekje e dukshme për të frenuar “Islamin politik”.

Në atë kohë, ish-presidenti Nicolas Sarkozy i denoncoi rrobat e banjës me një mbulim të plotë të fytyrës si një “provokim” në mbështetje të Islamit radikal. Po kështu në Zvicër, ndalimi i ri i burkës u arrit të miratohej për shkak të aludimeve mbi spektrin e “Islamit politik”.

Në të gjithë Evropën, ky term është dëshmuar si një armë elektorale mjaft efektive. Por problemi është se “Islami politik” është një koncept i paqartë, që mund të nënkuptojë praktikisht çdo gjë kur aludohet nën mantrën e luftës kundër terrorizmit.

Për disa, veshja e një rrobe të dukshme fetare myslimane, ngrënia e ushqimit hallall apo thjesht bindjet sociale konservatore, konsiderohet një hap shumë ekstrem. Për pasojë, autoritetet mund ta interpretojnë shumë gjerësisht një sulm kundër “Islamit politik”, që mund të çojë deri në kufizimin e lirive civile.

Një rast i tillë është projekti i ri i diskutueshëm i Francës mbi “forcimin e parimeve republikane”, që synon të luftojë “separatizmin”. Nismat e SVP në Zvicër, kanë pasur sukses pasi kjo parti ka qenë në gjendje të bindë një pjesë të madhe të publikut se myslimanët që vendosin ta bëjnë të dukshëm praninë e tyre në vend, nuk janë thjesht duke praktikuar fenë e tyre – qoftë duke ndërtuar një minare apo duke veshur një burka – por ata po përpiqen të “islamizojnë” publiku zviceran.

Pastaj vijnë referendumet që synojnë të zhdukin çdo shenjë të një pranie myslimane në Zvicër, me nënkuptimin se myslimanët duhet të qëndrojnë të padukshëm, nëse duan të jenë pjesë e shoqërinë zvicerane. Por këto ndalesa krijojnë një paradoks të pashmangshëm:Shenjestrimi i myslimanëve i bën ata edhe më të dukshëm, duke kontribuar vetëm në rritjen e racizmit dhe islamofobisë.

Dhe ky proces është ciklik. Ndërsa myslimanët janë në shënjestër si një komunitet, gratë myslimane të mbuluara, janë ato që mbajnë barrën e zemërimit islamofobik, duke u cilësuar si viktima të normave patriarkale apo si ndjekëse të verbra të diktateve fetare. Por larg “çlirimit” të tyre, ndalimet e burkës, shërbejnë shpesh vetëm për t’i përjashtuar gratë myslimane nga jeta publike.

Për me tepër, është e rëndësishme të kujtojmë se numri i grave myslimane që mbulojnë tërësisht fytyrat e tyre, mbetet shumë i vogël në Evropë. Në vitin 2009, gazeta franceze “Le Figaro” vlerësoi se vetëm 2.000 gra – nga një popullsi totale franceze prej 65 milion banorësh -mbanin një mbulesë në fytyrë për arsye fetare apo filozofike.

Në Zvicër, vend me 8.5 milion banorë, ky numër vlerësohet midis 21 dhe 37 gra. Nëse kjo çështje bën ende përshtypje në Evropë, kjo ndodh për shkak se partitë anti-myslimane në të gjithë spektrin politik e kanë zmadhuar artificialisht numrin e popullsisë myslimane, në mënyrë që të provokojnë frikë tek votuesit.

Kështu, në një sondazh të vitit 2017 të kryer nga Tamedia, një kompani mediatike zvicerane, të anketuarit mendonin se myslimanët përbënin rreth 17.2 për qind të popullsisë zvicerane. Në fakt, sipas Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës, shifra reale është 5.1 për qind.

Evropa duhet ta pranojë se hipersekuritizimi i Islamit vetëm sa do të çimentojë ndarjet ekzistuese, duke rrezikuar kështu vlerat liberale mbi të cilat pretendon se ekziston.

Ndalimi i burkës në Zvicër është një provë se kontinenti nuk i sheh ende qytetarët e saj myslimanë si plotësisht të aftë për të qenë të pavarur dhe për të formuluar vullnetin e tyre politik. Nëse Evropa dëshiron vërtet që ta shpëtojë veten nga rënia kulturore, ajo duhet ta nisë ripërtëritjen nga njohja e myslimanëve si qytetarë me të drejta të plota.

Burimi i lajmit: https://foreignpolicy.com/2021/03/10/switzerland-europe-burqa-ban-referendum-coronavirus-face-masks-egerkinger-komitee/

Përshtatur nga TIRANA TODAY