E enjte, 20 Janar, 2022
-3.5 C
Tirana

Zv/kryetari i Gjykatës së Lartë: Sfidë ulja e çështjeve të prapambetura

Në një analizë të punës për vitin 2021, Zv/kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se janë mbi 35 mijë çështje që presin të gjykohen. Sipas Sadushit, lajmi i mirë është se gjatë vitit 2021, numri i vendimeve të marra është më i lartë se çështjet e regjistruara. Sipas tij, çështjet e prapambetura e kanë fillesat që nga viti 2012 dhe ulja e numrit të këtyre çështjeve kërkon kohë dhe angazhim. Në raportin vjetor të punës së institucionit, Sokol Sadushi pohoi se një ndër sfidat kryesore të Gjykatës së Lartë është rikthimi i besimit tek qytetarët.

“Kjo Gjykatë po e kryen funksionin e vetë Kushtetues, duke u përpjekur maksimalisht të përçojë tek publiku besimin dhe shpresën se situata është duke ndryshuar. Jemi të ndërgjegjshëm se opinioni publik pret nga ne, më shumë efektivitet, një ritëm më të lartë në gjykim dhe rrjedhimisht më shumë rezultat.

Gjykata e Lartë nuk resht së kërkuari për mënyra, mjete dhe rrugë të reja që sigurojnë shpejtësi, korrektësi, cilësi dhe transparencë në vendimmarrje. Situata në Gjykatën e Lartë është në një zhvillim dinamik, dhe e tillë parashikohet edhe gjatë vitit 2022. Ne dimë se çfarë dhe si duhet bërë, për të dalë nga kolapsi, në të cilën e gjetëm këtë institucion. Për këtë kërkohet durim dhe mirëkuptim.

Po mbyllim një vit me zhvillime pozitive, sa i takon ritmit të lartë të punës, metodologjisë së qartë të ndjekur nga trupa gjyqësore, dhënies së shpresës për fillimin e uljes së numrit të çështjeve te prapambetura, por edhe shtimit të arsyeshëm të organikës së Gjykatës së Lartë.

Gjatë këtij viti u emëruan 6 gjyqtarë të tjerë, ndërkohë që jemi në pritje të 5 të tjerëve. Është gati e pabesueshme, por vetëm me 9 gjyqtarë kemi arritur, nëpërmjet një përllogaritje të kujdesshme, të formojmë 9 trupa gjyqësorë, me nga 3 gjyqtarë, të cilat gjykojnë rregullisht, sipas kolegjeve dhe fushave përkatëse, në çdo ditë të javës.

Kjo ngarkesë ka kërkuar angazhimin maksimal të gjyqtarëve, që pavarësisht faktit se janë zgjedhur në përbërje të kolegjeve përkatëse, kryejnë detyrën edhe si pjesë e trupave të ndryshme gjyqësore. Gjyqtarët e kësaj gjykate janë të ndergjegjshëm për përgjegjësinë që u ka takuar të mbajnë në këtë situatë të pazakontë për Gjykatën e Lartë në veçanti, dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

Padyshim që gjyqtarët nuk mund ta realizojnë vetëm këtë detyrë. Emërimi i 4 këshilltarëve ligjor nga KLGJ është shoqëruar me plotësimin, gjithashtu, nga Këshilli i Gjykatës së Lartë i organikës së stafit administrativ me nëpunës civilë gjyqësorë, veçanërisht në sektorin e drejtorisë së administrimit gjyqësor dhe në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Ky është viti i ngritjes të Qendrës së Dokumentacionit, një model krejt i ri dhe me pritshmëri të lartë suksesi për analizën, studimin, dokumentimin dhe publikimin tematik të vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, që po realizohet në bashkëpunim me homologët e gjykatave të larta gjermane dhe italiane.

Përshtatja e kuadrit ligjor me nevojat dhe kërkesat e gjykimit kasacional, me fokus kryesor kthimin e Gjykatës së Lartë në gjykatë ligji dhe shkëputjen e saj nga praktika e shqyrtimit të fakteve dhe provave, kanë sjellë efekte pozitive edhe në rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së vendimmarrjes, të cilat priten të japin rezultate edhe më të ndjeshme në vitet në vijim. Këto ndryshime ligjore kanë rritur efektivitetin e trupës me 3 gjyqtarë, kanë bërë të mundur marrjen e 7 vendimeve njësuese, ashtu si edhe shqyrtimin e vlefshmërisë së akteve normative me 5 gjyqtarë. Kanë forcuar pushtetin e dhomës së këshillimit, duke rritur numrin e vendimeve që merren në këtë fazë, kanë konsoliduar rolin e gjyqtarit të vetëm në shqyrtimin e kërkesës për përjashtim, por edhe në filtrimin e rekurseve me të meta, ashtu siç kanë bërë efektiv ndëshkimin me gjobë të avokatëve për rekurset abuzive etj.

Sidoqoftë, paraqitja e disa statistikave kryesore mbi vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë gjatë vitit 2021 është shumë e rëndësishme për informimin e opinionit publik.

Megjithëse çështjet e reja që janë regjistruar në Gjykatën e Lartë nga 1 janari 2021 kanë arritur në 2.847 (nga të cilat 1340 civile, 547 administrative dhe 960 penale), numri prej 35.837 çështjesh që presin të gjykohen, janë drejt uljes. Lajmi i mirë është se numri i vendimeve që janë marrë gjatë vitit 2021 është më i lartë se çështjet e regjistruara.

Për vitin 2021, Gjykata e Lartë ka dhënë 3.609 vendime, nga të cilat 1.182 vendime administrative, 1.336 vendime civile dhe 1.091 vendime penale. Ky numër do kishte qenë shumë më i lartë, nëse Gjykata do të kishte 9 gjyqtarët e saj nga data 1 janar, ndërkohë që deri në prill të vitit 2021 ajo ka funksionuar me vetëm 3 gjyqtarë, në periudhën prill-shtator 2021 ka funksionuar me 7 gjyqtarë dhe prej fundit të muajit shtator me 9 gjyqtarë.

Me të dhëna te tilla, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë rezulton të kenë një përqindje të evadimit të çështjeve prej 127%, një shifër mjaft e lartë, referuar standardeve të CEPEJ, gjë e cila u vlerësua pozitivisht edhe në Raportin një vjeçar të Komisionit Evropian mbi “Paketën e Zgjerimit”.

Natyrisht që kjo shifër, e krahasuar me numrin e backlogut mund të konsiderohet si relative, megjithatë duhet të mbahet parasysh se ngarkesa në një vit, e një gjyqtari të Gjykatës së Lartë ka shkuar përtej çdo limiti, me mbi 500 çështje.

Me gjithë numrin tepër të lartë, nuk ka kaluar pa u vlerësuar edhe cilësia e vendimmarrjes. Mjafton të analizohen vendimet njësuese (5 në fushën penale dhe 2 në fushën administrative), ashtu si edhe mjaft vendime me ndikim në publik që dëshmojnë për rritjen e besimit te kjo Gjykatë”, ka thënë ai.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Basha i përgjigjet Metës pas takimit me Ballën

Kryedemokrati Basha ka dhënë garanci se PD nuk do t’i iki asnjë beteje, përfshirë edhe zgjedhjet vendore. Qëndrimi i tij pason pas deklaratës për...

Krijohet sistemi që “parashikon” pacientët më të rrezikuar me Covid-19

Shkencëtarët në Gjermani kanë zhvilluar një sistem të ri të inteligjencës artificiale, i cili analizon proteinat në një mostër të vetme gjaku te një...

PD po shkon drejt ndarjes?

Nga: Artur Ajazi Mendimi për një ndarje të mundshme të PD-së, po shprehet dhe promovohet hapur ditët e fundit në çdo ambient mediatik. Në dukje...

Në kërkim të racës Ariane: Misioni i bujshëm i nazistëve në pyjet e Amazonës

Nga: Pietro Emanueli Nazistët kishin një koncept racist mbi botën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, brenda së cilës Gjermania ishte qendra e gjithçkaje, dhe ishte mbi të...

Bardhi: Asnjë habi nga trekëndëshi i Bermudës.Reagon Blushi: Ç’na polli belaja!

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar sa i takon qëndrimit publik të presidentit Meta, pas diskutimit për datën e zgjedhjeve të...