Zëvendës drejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku ka folur rreth situatës së vaksinimit në vendin tonë.
I ftuar në “Real Story”, në “News 24”, Ulqinaku tha se deri më tani me dy doza vaksinash janë vaksinuar gjithsej 800 persona ndërsa vetëm një dozë e kanë marrë rreth 8 mijë.
Ulqinaku tha se shkalla e refuzimit tek personat është thuajse zero dhe kjo sipas tij është një dëshmi e punës së mirë e Institutit të Shëndetit Publik.
“Vaksina me dy doza nuk janë bërë më tepër se 800 individë, ndërsa për një dozë 8 mijë individë. Ne mundohemi të administrojmë. Ne mundohemi të organizojmë dhe të mos na shkojnë dozat vend edhe të bëjmë një proporcion shëndetësorë që individët ta marrin. Shkalla e refuzimit është thuajse zero, kjo tregon dhe një civilizim shumë të mirë. Ne si punonjës të shëndetit publik kemi bërë një punë shumë të mirë, të paktën në këtë drejtim”, tha mjeku.
Ndër të tjera, Ulqinaku theksoi se fillimisht do vaksinohet grup-mosha mbi 80 vjeç, ndërsa shtoi se situata do të vijë duke u përmirësuar.