Duhet të kalonin më shumë se 300 minuta që të shijonim golin e parë të Cristiano Ronaldos me fanellën e Juventusit. Ylli portugez ka shënuar dopietë përballë Sassuolos në ndeshjen e javës së katërt në Serie A, e cila ka rezultuar decizive në fundin e takimit.
Juventusi ka mposhtur 2-1 Sassuolon në Torino dhe kryeson e vetme kampionatin italian me pikë të plota. Për kampionët e Italisë problemi i vetëm deri tani kishte qenë se blerja 100 milionësh Cristiano Ronaldo nuk kishte gjetur ende golin e parë, por në minutën e pestë të pjesës së dytë, “CR7” shënoi, pasi u gjend në vendin e duhur, në momentin e duhur, pas gabimit të Ferrari, gjatë një goditje nga këndi.
Dhe duket se ai gol e çliroi portugezin, i cili vetëm pas 15 minutash arrin të shënojë edhe golin e dytë. Një kundërsulm mjaft i bukur i organizuar nga Douglas Costa dhe Emre Can, e më pas është Ronaldo që lëshon të majtën për të dytën herë në rrjetë.
Në minutën e parë shtesës, Khouma Babacar ngushtoi diferencën për miqtë, por pa arritur të prishë festën e Juventus. Bardhezinjtë e mbyllin ndeshjen me 10 lojtarë, pasi braziliani Douglas Costa fillimisht godet kundërshtarin me bërryl dhe më pas e pështyn në fytyrë, e arbitri i tregon kartonin e kuq.
Në ndeshjet e tjera të luajtura në Serie A, Genoa fitoi 1-0 ndaj Bologa, që ende nuk e ka gjetur golin e parë në Serie A, ndërsa Udinese dhe Torino u ndanë në barazim 1-1.