E shtunë, 25 Shtator, 2021
8.5 C
Tirana

Zgjidhjen e kanë partnerët amerikanë dhe europianë

Nga: Preç Zogaj

Krerët e opozitës, siç kanë thënë vetë, nuk prisnin të gjenin mbështetje në Uashington dhe në kryeqytetet e Europës Perëndimore për aktin e djegies së mandateve. Ata, me sa është kuptuar, nuk e kishin parë të udhës t’i informonin paraprakisht partnerët dhe t’u kërkonin, pse jo, njëlloj mirëkuptimi jo publik që do të përkthehej si mbështetje e hapur me kalimin e kohës. Ata zgjodhën vënien e tyre para faktit të kryer. Kjo jo se nuk e dinin se një vendim i tillë nuk mund të jetë një çështje strikte e politikës së brendshme. Arsyet mbeten për t’u sqaruar e kuptuar. Ato, sipas meje, lidhen me faktorin kohë. Opozitës i duhej ta bënte tani aktin. Shtyrja në kohë me sa duket do t’ia zbehte efektin, për të mos thënë mund ta bënte të paefektshëm. Janë ca akte që bëhen, nuk shpjegohen. Ato shtyhen përpara me forcë ose prej rrethanave. Ai që i bën ndodh të ketë të drejtën me vete, por nuk ka argumente.

Në fakt, argumentet për të mbrojtur e përligjur në nivelet e politikës së lartë amerikane dhe europiane djegien e mandateve duhet të jenë tepër-tepër bindëse; dosja e re e gjetjeve, zbulimeve dhe fakteve që përmbysin zgjedhjet njëzet muaj pas mbajtjes së tyre duhet të jetë e qepur, e pakontestueshme. Gjë që nuk është e lehtë të bëhet në kushtet kur përgjimet që lidhen me shitblerjen e votave janë mbajtur gjatë në sirtarë, janë trafikuar e përdorur për lloj-lloj interesash nga prokurorë të papërgjegjshëm e të korruptuar. Të kuptohemi: shitblerja e votave ka qenë sipas bindjes sime një fenomen shumë i përhapur në zgjedhjet e vitit 2017. Në rrugë kryesisht informale janë raportuar informacione pa fund për blerje votash nga kandidatë të tri partive të koalicionit qeveritar të kohës, PS, LSI dhe PDIU. Nëse zgjedhjet nuk do të ishin njohur në të nxehtë në disa qarqe, menjëherë pas mbajtjes së tyre, kjo do të kishte pasur sens dhe me siguri do të kishte gjetur mbështetës në Perëndim. Hekuri rrihet sa është i skuqur, thotë populli.

Tani që partnerët kanë marrë nëpër duar certifikimin e zgjedhjeve nga KQZ-ja dhe nga misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, informacionet dhe reklamimet nuk kanë më peshën dhe fuqinë që do të kishin kur hekuri ishte i skuqur. Ndaj partnerët perëndimorë, këndej dhe matanë oqeanit, janë të prerë e në bllok kundër djegies së mandateve nga opozita. Qëndrimi i tyre nuk po lë shteg për lexime subjektive. Është një qëndrim që duket se e formon si violinë e parë Uashingtoni. Brukseli e përshtat në gjuhën e kontinentit të vjetër pa prekur thelbin. Ngjajnë të jenë qëndrime në favor të qeverisë, por po të analizosh tonin e tyre duket se janë ndërtuar më shumë me brumin e pezmit ndaj aktit të opozitës se sa si vlerësim për qeverinë. Në fakt, partnerët perëndimorë, sidomos ata amerikanë, por edhe gjermanë, kanë qenë mjaft kritikë me qeverinë e kryeministrit Rama.

E dëshmojnë qartë raportet e Departamentit të Shtetit që fotografojnë zhvillime me shtrirje në kohë jashtë ndërlidhjes me aktualitetin e ditës. Pak ditë më parë këshilltari politik i Komitetit të Helsinkit, Robert Hand  theksonte se djegia e mandateve e zhvendosi fokusin e kritikës së ndërkombëtarëve tek opozita.  Nga mënyra si po artikulojnë partnerët amerikanë duket se jo vetëm e mbajnë në këmbë qeverinë në fuqi, por nuk e “lënë” as të ikë, në kuptimin që nuk janë dakord të ikë pa rakordim me ta në këtë periudhë. Ky është një qëndrim që nuk ka lidhje me emrin e kryeministrit. Shkon përtej tij dhe qeverisë së tij. Nuk jemi këtu në rrethanën kur ndërkombëtarët kanë në qeveri njeriun e tyre që nuk duan t’ua prekë kush. Një marrëdhënie e tillë e partnerëve perëndimorë me kryeministrat a presidentët e Shqipërisë as ka ekzistuar, as do të ekzistojë. Është pa kuptim në kohën tonë. Ndaj analiza nuk mund të bëhet duke u mbështetur në klishe mendore të vjetra dhe në arsye që nuk janë arsye.

Tani që kaloi një muaj nga djegia e mandateve mund ta kuptojnë edhe ata që nuk e kanë besuar në krye të herës se ndërkombëtarët janë një faktor vendimtar në trepolaritetin e skenës shqiptare. Ata e mbajnë zgjidhjen. Aq e vërtetë është kjo sa ata mund të provokonin largimin e qeverisë me një fjali të thjeshtë të tipit “të konsiderohen arsyet e opozitës”. Por nuk e kanë thënë e nuk po e thonë.

Pse?

E para, sepse opozita jonë i ka vënë në siklet me aktin e djegies së mandateve. Në gjykimin e çdo perëndimori një akt i tillë rrezikon të shndërrohet në një precedent që e bën lëmsh sistemin demokratik.

E dyta, SHBA-ja, në radhë të parë, por edhe BE-ja kanë si prioritet absolut të politikës së tyre të jashtme në Shqipëri reformën në drejtësi, nisjen e drejtësisë së re. Ata nuk kanë dashur asnjëherë që zhvillimet e brendshme të kalojnë në plan të dytë, të frenojnë apo të sfumojnë zgjidhjen sui generis kundër korrupsionit dhe krimit në sferat e larta. Amerikanët kanë shtyrë dhe vazhdojnë të shtyjnë si askush tjetër për ngritjen e organeve të drejtësisë së re, për mbajtjen e besimit popullor se reforma po ecën në rrugën e duhur, për inkurajimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe juristëve për të kandiduar e marrë përgjegjësi. Falë tyre sot mund të flasim për një kalendar të kompletimit e këtyre organeve me SPAKU-n, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë që do të ngrihen deri në qershor. Paralelisht parashikohet bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese.

Drejtësia e re pritet të nisë në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Ajo është konceptuar dhe ndërtuar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë shumëvjeçare në sferat e larta. Pra për t’i dhënë zgjidhje me ligj jo vetëm problemit të korrupsionit në sistem, krimit në pushtet e pushtetit në krim, por edhe manipulimit të zgjedhjeve dhe shitblerjes së votave. Të gjitha këto fenomene janë mbështjellë deri sot rreth një boshti që është pandëshkueshmëria në sferat e larta. Bandat ndërpartiake të shkatërrimit të zgjedhjeve të lira kanë vepruar e veprojnë për llogari të drejtuesve politikë. Banditët e dinë se vjedhja votave është një çështje pushteti e atyre që u kërkojnë të blejnë vota duke u ofruar në shkëmbim shpërblimin. Pandëshkueshmëria u ngrit përgjatë shumë viteve si shkaku kryesor i bllokimit, degradimit dhe krizës së sistemit në Shqipëri. Këtë vuri në shënjestër Amerika miqësore me ligjin që konceptoi e po çon drejt zbatimit në bashkautorësi me faktorët vendas.

Qëllimet e drejtësisë së re përputhen literalisht me shqetësimet dhe kërkesat e opozitës. Edhe opozita kërkon pastrimin e politikës nga krimi, çlirimin e zgjedhjeve. Edhe opozita lajmëron kurdisjen e orës së antikorrupsionit në sferat e larta. Pra çlirimin jo vetëm të zgjedhjeve, por edhe të vetë politikës nga kapja korruptive apo klanore, nga mungesa e garës etj.

Një tjetër përputhje me rëndësi është ajo që lidhet me mbështetjen dhe shpresën te drejtësia e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, pra të shumicës dërrmuese të qytetarëve opozitarë.

Mospërputhja është për mjetin dhe për kohën.

Partnerët llogarisin mbi mekanizmin që e lufton me ligj në aulën e drejtësisë korrupsionin dhe krimin në sferat e larta. Ata duan ta bëjnë këtë përmes organeve të reja që po ngrihen e do të trajnohen për sfidën e madhe. E gjitha kjo merr kohën e vet.

Opozita e kërkon këtë si zgjidhje politike në fillim. E kërkon tani.

Janë mospërputhje që në dinamikën e tyre ka ndodhur e ndodh të marrin pamjen e një kryqëzimi zgjidhjesh. Në fakt, që në kohën e çadrës e më vonë, partnerët amerikanë dhe gjermanë i kanë parë me skepticizëm dhe nuk i kanë kredituar disa ekuivokë dhe qëndrime të opozitës që linin përshtypjen e mbivendosjes ndaj reformës në drejtësi si përparësi e tyre. Nga kjo ka përfituar Rama. Jemi në të njëjtën histori. Së paku deri sa të ngrihet SPAK-u dhe BKH-ja. Deri atëherë, me ç’tregojnë bathët, partnerët do të vazhdojnë të mbrojnë zgjidhjen e tyre nga turbulencat. Opozita, sipas mendimit tim, mund ta kërkojë e ta gjejë pikërisht te qasja e re ndaj drejtësisë së re formulën që pajton kalendarin e partnerëve me kalendarin e saj./Gazeta Liberale

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Në rritje kërkesat për azil, arrijnë nivelin më të lartë të pas-pandemisë

Kërkesat për azil nga shqiptarët kanë filluar rritjen graduale pas lehtësimit të kritereve të udhëtimeve në vendet e Bashkimit Europian, por sërish ato mbeten...

Yuri Kim i shkon në zyrë Bashës. Cilat janë porositë e radhës?

Kryedemokrati Basha do të takojë sot në orën 16:00, ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim. Pas vendimit për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha...

La hotelin luksoz, Lionel Messi paguan shumën e majme për vilën

Ylli argjentinas Lionel Messi, ka arritur që të gjejë një shtëpi në Paris. Sipas asaj që raporton “RMC Sports”, Messi deri tani ka jetuar...

“Mbretëria” e Kozakut, si kërcënim për një gjeneratë

Nga: Mentor Kikia Njëri që u quajtka Kozak, qenka shpallur mbreti i Instagramit dhe Tik-Tokut. Por një tjetër që u quajtka Fabio, mesa duket pretendent...

“Mbreti i Instagramit” në sherr me “mbretin e burgut”, “lufta” për famë

Rrjetet sociale janë kthyer në “ushqimin” e përditshëm të rinisë. Aty mund të gjesh video argëtuese, edukuese, por në të shumtën e rasteve rinia...