Zgjidhja gjeniale e Bashës… As kaluar, as në këmbë, as veshur e as zhveshur

Nga Shpëtim Nazarko

Nuk do ndonjë marifet të madh mendor, për të kuptuar strategjinë e Bashës për të tejkaluar pozitën e tij, pas zgjedhjeve të 25 prillit. Ajo shkon përpiktë me përrallën e njohur, që lexuesit mund ta shijojnë me nge…

Dikur, pleqtë e vjetër i vrisnin, për të mos i pasur barrë. Ndërkaq, një njeri e mbajti gjallë babanë e tij, për këshilla. Kur fshati vendosi të zgjidhte një kryetar të ri, u vu një detyrë para kandidatëve. Të nesërmen e zgjedhjeve, duhet të vije në mbledhje as kaluar dhe as në këmbë, dhe as mbathur e as zbathur. Vetëm kështu, bëheshe kryetar i fshatit

Plaku i vjetër, të cilin e kishte ruajtur i biri, i dha këtë këtë këshillë këtij të fundit.

Nesër, do të hipësh mbi dashin e kopesë. Këmbët, do t’i tërheqësh zvarrë. Do mbash këpucë, po shollët e tyre do t’i presësh. Ke plotësuar të dy kushtet. Nuk je as kaluar dhe as në këmbë. As i veshur dhe as zhveshur…

Kështu, posti i kryetarit u zgjidh dhe njerëzia paskësaj, zunë t’i ruajnë pleqtë e tyre dhe të mos i vrasin,

Ta ketë dëgjuar a lexuar këtë përrallë, Basha…

Duke mos i njohur zgjedhjet e reja, po duke vajtur në Parlament, ai i plotëson perfekt, kushtet, për të mos pasur probleme me veten dhe të tjerët. Brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Prandaj me të drejtë, mbetet edhe njëherë, kryetar!

Në thelb, nuk është edhe keq. Më mirë të tregojmë përralla sesa të bëjmë zhurmë rrugëve të fshatit tonë, që e quajmë Shqipëri. Fundja, veç përrallave a dimë të bëjmë gjëra më të mira?