Jorgos Katrugalos, ministri i Jashtëm grek në një prononcim për mediat greke është shprehur se zgjerimi i vijës bregdetare është një nga prioritetet e qeverisë Cipras.
Katrugalos ka folur për marrëdhëniet me fqinjët, ai ka theksuar se vullneti i Greqisë është ecuria dhe përmirësimi i çështjeve bilaterale, e përmes këtij përmirësimi të lirohet dhe rruga europiane për Shqipërinë.
“Është e drejtë vërejtja për sa i përket vonesës në negociata, ka arsye, ne padyshim që marrim parasysh trazirat politike në vendin fqinj. Ndërkohë që duhet të marrim dhe përgjigje për çështjet e parashtruara dhe madhore të minoritetit grek: konkretisht janë dy ligje që referohen në të drejtat përkatëse, ligji për mbrojtjen e pasurisë së palëvizshme në bregun e Himarës, si dhe ligji i përcaktimit të identitetit, që ofron mundësinë e deklarimit si minoritar në procesin e regjistrimit”- ka thënë ai.
Sipas ministrit, “janë dhënë disa përgjigje nga pala shqiptare, në një farë mënyre mund të them se kanë rifilluar diskutimet, por është akoma tepër herët të parashikojmë rezultatin”.
Duke u ndalur në zgjerimin e vijës bregdetare, përfshirë paktin me vendin tonë, ai ka thënë se “zgjerimi i vijës bregdetare dhe përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike është ndër prioritetet e kryeministrit Cipras. Madje, zgjerimi i vijës bregdetare përfshihet në projektin e përcaktimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë, Italinë dhe Egjiptin, ky i fundit nëse realizohen negociatat e duhura. Bëhet fjalë për një vendim politik që sipas kryeministrit do të mbyllet me miratimin e legjislaturës përkatëse”.