E enjte, 21 Janar, 2021
7 C
Tirana

Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, peng i mosmarrëveshjeve dypalëshe

Nga: Sofija Popovic “European Western Balkans”

Përpjekja e fundit e presidencës Gjermane për të zhbllokuar negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë brenda këtij viti, përfundoi pa sukses. Për shkak të vetos bullgare, Bashkimi Evropian nuk miratoi dot kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, procesi i pranimit të Shqipërisë është bllokuar për shkak të dështimit të këtij vendi për të përmbushur kushtet e vendosura për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Sipas Radios Evropa e Lirë, Konkluzionet mbi Ballkanin Perëndimor nuk u miratuan gjatë takimit ministror të vendeve anëtare të BE-së të mbajtur të enjten e shkuar, gjë që u konfirmua nga Ministri i Jashtëm çek Tomash Petriçek.

Përfundime të tilla miratohen rregullisht në nivelin e ministrave të vendeve anëtare të BE-së. Por në takimin e fundit të mbajtur më 8 dhjetor, kjo nuk ishte e mundur për shkak të vetos së Bullgarisë kundër Maqedonisë së Veriut.

Gjithsesi, përkundër pritshmërive të shprehura në Bruksel një ditë më parë, kjo çështje as që u diskutua, pasi ishte e qartë se nuk kishte unanimitet mbi përmbajtjen e konkluzioneve përfundimtare. Atëherë, çfarë mesazhi po u dërgon Bashkimi Evropian vendeve të Ballkanit Perëndimor me këto bllokada ndaj procesit të anëtarësimit?

Marika Djolai, studiuese në Qendrën Evropiane për Çështje të Pakicave, dhe anëtare e Grupit Këshillues të Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG), thotë për “EWB” se Bashkimi Evropian po i dërgon një mesazh negativ vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi procesin e pranimit të tyre në union.

“Kjo qasje tregon se cilido prej vendeve anëtare, mund të pozicionohet në çdo moment dhe për çfarëdo arsye kundër angazhimit në procesin e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë se mund të bëhen pengesë mosmarrëveshjet dypalëshe midis çdo vendi kandidat, dhe një vendi anëtar të BE-së”, shpjegon ajo.

Ajo vlerëson se çdo bllokadë nga një BE e burokratizuar, kërkon muaj që të largohet dhe për këtë arsye, ky vendim qartazi nuk duket të jetë një mendimi strategjik i BE-së dhe i vendeve anëtare që e bllokuan procesin e pranimit.

“Duhet kujtuar se është vetëm fillimi dhe jo fundi i negociatave. Në fakt, mbi këto çështje duhet të punohet sistematikisht, në mënyrë që ato të zgjidhen gjatë procesit të negociatave”- thekson Djolai.

Lexo edhe :   Ku ka të drejtë dhe ku dredhon Rama në sulmin ndaj BE-së

Sipas saj, vendimi për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është një reflektim i problemeve të brendshme të BE-së.

“Unioni ka shumë probleme të brendshme, që nga përballja me pandeminë e koronavirusit, deri tek rritja e populizmit, rebelimi i disa shteteve anëtare dhe së fundmi konfuzioni mbi kohën se kur BE mund të bashkojë forcat dhe të mendojë strategjikisht për Evropën si një e tërë. Procesi i pranimit në Bashkimit Evropian, është bërë peng i krizës së shteteve individuale”, thotë Djolai.

Ajo shton se unioni nuk ka asnjë mekanizëm për t’u marrë me çështjet e brendshme, pasi për vendime të tilla është i nevojshëm konsensusi i të 27 vendeve anëtare. Ky është rasti edhe për miratimin e kornizës së negociatave për të dyja vendet e rajonit.

Lexo edhe :   Basha-Ramës: Për 8 vjet dështime fajin nuk e ka BE, por Tirja i qeverisë

“Pra nëse lind ndonjë problem, nuk ka asnjë mekanizëm të brendshëm, përveç diplomacisë publike dhe saj në prapaskenë, për ta zgjidhur atë. Kjo gjithashtu tregon, se procesi i pranimit në vetvete, nuk është i ndarë nga problemet dypalëshe që mund të ekzistojnë midis dy vendeve. Secili prej këtyre problemeve, mund të ndikojë dhe po ndikon në fakt në procesin e pranimit në BE të vendeve kandidate”, thotë Djolai për “European Western Balkans”.

Ndërkohë Gjergji Vurmo, Drejtor i Programit në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, dhe anëtar i BiEPAG, mendon se vetoja është një gabim i madh strategjik, pasi ajo mbart potencialin për të dëmtuar besueshmërinë e BE-së tek qytetarët e rajonit, por edhe të vetë procesit të zgjerimit.

Ai thekson se vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, do të ushqejë narrativat populiste të udhëheqësve autokratë të rajonit, për të cilët do të ishte shumë më e lehtë të fajësohej BE-ja për dështimet e tyre.“Koston e këtij zhvillimi nuk e paguan vetëm progresi i procesit të pranimit të vendit në BE, por edhe vetë ideja e Evropës.

Për të justifikuar dështimet e veta, qeveria në Tiranë po nxit euroskepticizmin midis shqiptarëve duke fajësuar politikën e brendshme të shteteve anëtare të BE-së dhe shtypit të tyre gjoja antishqiptar, duke ndjekur kështu shembullin e shumë liderëve të tjerë populistë si ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, hungarezit Viktor Orban, presidenti turk Erdogan dhe autokratëve të tjerë”, thotë Vurmo.

Burimi i lajmit: https://europeanwesternbalkans.com/2020/12/21/eu-enlargement-in-the-western-balkans-hostage-of-bilateral-issues/

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Video/ Ronaldo shkruan historinë, Juventus fiton Superkupën e Italisë

Cristiano Ronaldo ka shkruar sonte historinë e futbollit botëror pasi u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave pasi shënoi për Juventusin...

Bajernit i mjafton një penallti për të mbajtur kreun, Lajpcig bën detyrën

Mjaftoi një penallti në minutën e 13-të për t’i dhënë Bajernit fitoren e dytë radhazi. Robert Levandovski nuk gaboi nga pika e bardhë e...

Vetëvendosja garon në zgjedhjet e 25 prillit, nesër prezanton kandidatët e parë

Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ditën e nesërme, më 21 janar kjo forcë politike do të...

I përqafuar me bashkëshorten, Joe Biden mbërrin në Shtëpinë e Bardhë

Joe Biden ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ku do të fillojë orët e para të punës si President i SHBA, me firmosjen e...

Çfarë duhet të dini mbi historinë e Ditës së Përurimit të presidentit amerikan

E para Ditë e Përurimit në detyrë e presidentit të Shteteve të Bashkuara, ishte 30 prilli i vitit 1789, gjatë betimit të presidentit Xhorxh...