”Zgjedhjet janë trukuar”/ Gjekmarkaj: Ja faji i vetëm i Bashës për humbjen

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i cili rezultoi fitues në këto zgjedhje në Qarkun e Lezhës, komentoi rezultatin e zgjedhjeve, fushatën elektorale dhe veprimet që do të ndërmarrë PD në të ardhmen.

I ftuar në ”News 24”, Gjekmarkaj u shprej se zgjedhjet e 25 prillit janë të manipuluara, dhe se për këtë PD-ja  disponon prova të mbledhura në një dosje.

Ndër të tjera, Gjekmarkaj tha se faji i opozitës në përgjithësi dhe liderit të saj Lulzim Basha në veçanti, ishte që menduan se zgjedhjet do të fitoheshin në mënyrë demokratike.

Agron Gjekmarkaj: ”Basha ka menduar se po shkon në zgjedhje normale, në këtë aspekt nuk është Basha që ka humbur, ka humbur standardi në Shqipëri. Nëse Basha ka faj na ka bërë të besojë që do ia dalim në këtë mënyrë. Në këtë kontekst nuk është cështja tek Lulzim Basha, por qeveria, mediat, bizneset, do të vihen në radhë duke i puthur dorën Ramës si sundimtar, apo do të mendojnë për liri.

Zoti Basha ka bërë një fushatë spektakolare, një program shumë të mirë. Zoti Basha pat një ligjërim pajtues dhe etik në raport me qytetarët, ndërtoi një skuadër të mirë, duhet të guxonte pak më shumë në qytete si Tirana, Gjrokastra, në prezantimin e listave. Duhet të guxonte më tepër tek Tirana, raporti me aleatët duhet të ishte më ndryshe. Duhet t’i jepte Tiranës më shumë grintë. Lista e PD ishin në përgjithësi shumë të mira, pa lidhje me krimin. Problemi ishte tek mënyra se si shteti u soll. Shteti është një struktura mafioze që godet. E patë me patronazhistët, e patë projektin e tyre për Shqipërinë. Ne jemi në një hap drejt neoditkaturës. Kjo është skandaloze.

Në këtë kontekst i bie që opozita s’ka problemin se ç’duhet bërë me Lulzim Bashës. Të merremi me Bashën është nderi më i madh që i bëjmë Ramës. Kemi detyrë të reagojmë, t’i themi demokratëve të jenë me kokën lartë. Vetëm 35 mijë vota me trukim ka sot para PS. Këto produkte janë që të cojnë në këtë rezultat. Mendoj që emrat njohur, si Nishani, për të cilin kam respekt si politikan, për kontributet si President, kjo është një deklaratë e nxituar. Procesi ende s’ka përfunduar. Zgjedhjet janë trukuar, ne do e faktojmë këtë.”