Gjatë ditës së sotme, KQZ do të hapë kutitë në 11 qendra votimi në Bashkinë e Lezhës. Kjo vjen pas miratimit të kërkesës ankimore të Partisë Konservatore Albania, për t’i rinumëruar këto kuti votimi.
Përfaqësuesit e PS-së në KQZ mbështetën ankesën e Eduard Ndocajt, i cili konkurroi përballë Pjerin Ndreut në Lezhë, pavarësisht se për 3 ditë me radhë rrëzuan ankesat e Bindjes Demokratike për hapje kutish.
Ndërkohë, relatori i çështjes, Bledar Skënderi, kërkoi mbështetjen nga një prej anëtarëve të KQZ-së për të miratuar hapjen e kutive.
“Unë kërkoj mbështetjen e një nga kolegëve që konform këtyre dy neneve të mbështesin kërkesën time që ne të marrim këto prova që gjenden në kutitë e votimit, pra të bëjmë rinumërim”, deklaroi Skënderi.
Nga ana tjetër, PS propozoi që nëse manipulimi me votat faktohet, atëherë të ketë ndjekje penale për komisionerët e përfshirë.
“Sot, në orën 10:00, vijon shqyrtimi i kërkesës ankimore nr. 58, me marrjen e provave dhe rinumërimin e rivlerësimin e votave në 11 qendrat e votimit të objektit të kërkesës ankimore”,thuhet në njoftimin e KQZ.