E martë, 21 Shtator, 2021
18.5 C
Tirana

Zgjedhjet e parakohshme më shumë se opozitës i duhen sistemit

Nga: Klementin Mile

Shumë vite më parë, kur ishte i pozicionuar djathtas, Mero Baze e këshillonte Sali Berishën të ndalonte së bëri moral dhe të fillonte të bënte politikë. Të njëjtën këshillë, edhe pse jo të artikuluar shprehimisht si 15 vite më parë, ai vazhdon ta japë majtas, duke ia servirur sa herë që gjen rastin Edi Ramës. Përveç kapërcimit nga njëri formacion partiak te tjetri, për Bazen asgjë nuk ka ndryshuar: politika dhe morali janë përjashtuese të njëra-tjetrës. Kështu duket ta ketë lexuar Makiavelin Mero Baze.

Sigurisht, kriza në të cilën gjendet sistemi politik shqiptar nuk ka ardhur prej leximeve të Meros, as prej këshillave të tij. Padyshim këto nuk kanë qenë kushte të mjaftueshme, e ndoshta as të domosdoshme. Këshillat e Meros dhe të këshilltarëve të tjerë që u kanë bërë thirrje liderëve ta spastrojnë moralin nga politika mund të kenë kontribuuar në gjendjen e sotme, por krahas shumë faktorëve të tjerë.

E rëndësishme, megjithatë, është të theksohet se edhe politika kërkon moral. Në mungesë të moralit, të gjitha fitoret ndaj kundërshtarit zerohen, bëhen të kota dhe të pavlefshme. Kjo, pasi mungesa e moralit ndikon drejtpërsëdrejti në funksionimin e sistemit, mekanizmat që e vënë në lëvizje, perceptimin shoqëror për të, riprodhimin e politikës, legjitimitetin dhe autonominë e saj. Politika është një sistem që duhet ta dëshmojë vlerën e saj për shoqërinë. Ajo duhet të përmbushë funksionin për të cilin është ngritur – marrjen e vendimeve të detyrueshme kolektivisht.

Sistemi politik shqiptar është sot në krizë jo vetëm ngaqë opozita është jashtë parlamentit, jo vetëm ngaqë opozita e re që po zëvendëson të vjetrën është qesharake dhe nuk përfaqëson asnjë vlerë dhe interes opozitar; këto janë simptoma të krizës. Vetë kriza, si një sëmundje kronike e sistemit politik, shfaqet në trajtën e mungesës së moralit politik. Kjo sëmundje e sistemit nuk mund të kurohet as duke iu rikthyer parlamentit, as duke hyrë opozita në zgjedhjet lokale. Sëmundja morale nuk mund të kurohet formalisht, por vetëm duke adresuar çështjen e moralit politik.

Po për sa moral ka nevojë politika? Dhe ç’lloj morali? Natyrisht, sistemi politik, për sa kohë e dëshirojmë të jetë demokratik, nuk ka nevojë për artikulime morale si ato që kemi parë rëndom në Shqipëri, ku qeveria e cilëson veten si “të mirët” dhe opozitën si “të keqen”. Ky ligjërim shpalos një logjikë antidemokratike, ku qeveria “e mirë” nuk ka pse të zëvendësohet ndonjëherë nga opozita “e keqe”. Por, siç na e kujton filozofi francez Lëfor, në demokraci vendi i pushtetit është gjithmonë bosh.

Nuk bëhet fjalë, pra, për këtë lloj morali. Ky moralizim i tepërt e ka ndotur debatin politik dhe është një nga faktorët e krizës politike të sotme. Vendi i moralit në politikë, pra morali që i bën mirë shëndetit të politikës, është i kufizuar. Gjykimi moral duhet përdorur në politikë vetëm atëherë kur veprimet e politikanëve rrezikojnë kodin e sistemit. Në këtë kuptim, kërkesa për moral është kërkesë për një fair play politik.

Ashtu si në sport, prej nga derivon nocioni i “lojës së ndershme”, edhe rezultati politik nuk përcaktohet nga kritere morale, por nga kritere pastërtish politike (si ideologjia, programi, figurat individuale, strukturat, fushata etj.). Në sport është i papranueshëm përdorimi i dopingut, i cili shihet si cenim i lojës së ndershme, pasi dhunon kodin sportiv. Në politikë është moralisht i papranueshëm korrupsioni, i cili zhduk diferencën politikisht të domosdoshme ndërmjet zyrtarit dhe qytetarit. Gjithashtu është moralisht i papranueshëm përftimi i paligjshëm i informacionit në lidhje me deklarata konfidenciale (jo për t’u bërë publike) të partive politike të tjera, pasi kështu cenohet loja e ndershme politike ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

Për kaq moral ka nevojë sistemi politik. T’i kërkosh politikës më shumë moral se kaq do të thotë të kërkosh zhdukjen e saj. T’i kërkosh më pak moral, do të thotë ta lësh të vetëvritet. Çka flitet dhe përflitet sot më shumë se kurrë më parë janë aferat korruptive dhe përgjimet. Ato janë dëshmia e shembjes së afërme dhe dramatike e dy shtyllave që e mbajnë në këmbë sistemin: diferenca zyrtar/qytetar prej korrupsionit dhe diferenca qeveri/opozitë prej prishjes së rregullave të lojës. Zgjedhjet e parakohshme janë shansi i vetëm i sistemit për të dalë nga kriza morale, para se kjo të bëhet krizë politike permanente./Gazeta Liberale

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Kosova ndalon hyrjen e mjeteve me targa serbe, Drecun: Aksioni i planifikuar

Kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka deklaruar se aksioni i Njësisë Speciale të Kosovës rreth vendosjes së reciprocitetit...

Ndodh edhe kështu/Nuk siguroi dot biletën, tifozi fshihet në tualetin e femrave

Për të parë skuadrën e zemrës, ia vlen çfarë do lloj sakrifice. Një tifoz skocez i skuadrës së Sëlltikut është përballur me një të...

E mendonin të vdekur në Pukë, si i dështoi plani për inskenimin e vrasjes

Vijojnë hetimet ndaj biznesmenit italian Davide Pecorelli, të cilit i dështoi plani për inskenimin e vrasjes. Shqipëria nis hetimet për "shkatërrim prone" e "dëmtim...

Thellohet tragjedia, shuhet familja Gjoka nga shpërthimi i bombolës së gazit

Pas dy motrave dhe mamasë, ka humbur jetën edhe djali 12-vjeçar i familjes Gjoka. Enriko Gjoka 12 vjeç, fatkeqësisht nuk ia ka dalë t'i...

Vendimi/Çfarë është reciprociteti për targat e Serbisë? Blindohet kufiri

Duke parë situatën e agravuar tashmë mes Kosovës dhe Serbisë, Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga ana e qytetarëve që të shfrytëzojnë...