E shtunë, 23 Janar, 2021
10 C
Tirana

Zgjedhjet e para të 2 dhjetorit ‘45/ Enver Hoxha mori më shumë vota kundër

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të zgjedhjeve të 2 dhjetorit të vitit 1945 kur nga 106 kandidatë për deputetë që konkuruan në emër të Frontit Demokratik për 11 qarqet që kishte Shqipëria asokohe, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimitare, gjeneral-kolonel Enver Hoxha që mbante postin e kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes Popullore, ministrit të  Punëve të Jashtëme, Kryetarit të Kryesisë së Frontit Demokratik, Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe atë të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Shqipërisë, rezultoi të kishte marrë numrin më të madh të votave kundër, pas Ollga Plumbit, pasi nga 17. 564 zgjedhës të zonës së tij në Tiranë, 2. 151 votuan kundër tij.

Të gjitha rezultatet e atyre zgjedhjeve që u mbajtën nën drejtimin e një Komisjoni Qëndror të Zgjedhjeve, i cili përbëhej nga Kryetari Andrea Sahatçi, Sekretari Andrea Nathanaili, dhe antarët Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa, Faik Dishnica dhe Xhavit Gjata, ku nga 603.566 zgjedhës që ishin të regjistruar në listat e votimit, morën pjesë në votime 543.354 zgjedhës, që përbënin 90, 02 %. Nga këta zgjedhës 506.319 votuan për kandidatët e Frontit Demokratik dhe 36.758 vota u hodhën në kutinë pa kandidat, kurse 227 vota u hodhën në favor të një kandidati të pavarur. Kështu për kandidatët e Frontit votuan 93.18 %, kundër tyre 6.77 % dhe 007 % për kandidatin e pavarur.

Një vit e tre ditë pas mbarimit të Luftës, më 2 dhjetor të vitit 1945, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës. Për qeverinë e kryeministrit Enver Hoxha, i cili gjithashtu mbante edhe postet e Ministrit të Punëve të Jashtëme, të Mbrojtjes Popullore, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Shqipërisë-së, Kryetarit të Frontit Demokratik dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, caktimi i datës së zgjedhjeve në fillim të dhjetorit, u pa si më i përshtatshëm, për vetë situatën e brendëshme që po kalonte vendi, pasi pothuaj i gjithë viti 1945, kaloi me gjyqe të shumta politike, ku u ekzekutuan apo u burgosën pjesa më e madhe e ish funksionarëve të lartë, politikaneve, deputetëve dhe ushtarakëve të gjitha qeverive shqiptare, duke filluar nga ajo e Ismail Qemalit e deri tek ato nën pushtimin nazi-fashist.

Debatet për ligjin elektoral

Nga fillimi i muajit nëntor të atij viti Kryesia e “Frontit Demokratik” që në fakt ishte Partia Komuniste Shqiptare, shpalli zyrtarisht hapjen e fushatës elektorale nëpërmjet organit të saj gazetës “Bashkimi” dhe Radio-Tiranës, duke caktuar dhe 2 dhjetorin, si datën e zgjedhjeve. Projektligji elektoral i zgjedhjeve u miratua nga Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar (KANÇ) që kryesohej nga Enver Hoxha dhe gjatë miratimit që i’u bë atij ligji, pati debate të ashpëra, ku shumë antarë të KANÇ-it, kryesisë së Frontit dhe kandidatë për deputetë, si: Shefqet Beja, Suat Asllani, Sami Qeribashi, Gjergj Kokoshi, Riza Dani, Selaudin Toto etj., e kundërshtuan ligjin e zgjedhjeve, pasi ai ‘de facto’ ishte vetëm me kandidatët e Frontit dhe nuk linte asnjë shteg për opozitë. Në atë mbledhje, Gjergj Kokoshi që ishte nga kundërshtarët më të rreptë të atij projekt-ligji, në shenjë proteste doli nga rradhët e Fronti Demokratik dhe shpalli kandidaturën si i pavarur, duke qenë kandidati i vetëm jashtë Frontit në zgjedhjet e 2 dhjetorit.

Dy krerët e misioneve anglo-amerikane, Hodgson dhe Fultz: Krijoni opozitën

Që përpara miratimit të ligjit elektoral, qeveritë amerikane dhe britanike, nëpërmjet përfaqsuesëve të tyre në Shqipëri gjeneralëve Xheikobs dhe Hodgson i kërkuan kryeministrit Enver Hoxha, zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të lira, si kusht për njohjen e qeverisë shqiptare. Këtë gjë amerikanët ja kërkuan përsëri zyrtarisht Enver Hoxhës më 10 nëntor 1945, tashmë me anë të kreut të misionit të SHBA-ve, Harry Fultzit dhe atij britanik, Hodgson, të cilët i përsëritën Enverit (në cilësinë e Kryeministrit dhe Kryetarit të Frontit Demokratik), kërkesën e qeverisë së tyre, që në këmbim të vendosjes së përfaqësive diplomatike në dy vëndet, qeveria shqiptare duhet të siguronte zgjedhje të lira dhe të fshehta, shtypin e lirë dhe ndjekjen e zgjedhjeve nga gazetarët e huaj. Lidhur me këtë në kujtimet e tij, midis të tjerash Enveri shkruan: “Anglo-amerikanët e përqëndruan vëmëndjen te krijimi i Opozitës. Kjo ishte e domosdoshme për ta, se po afronte koha e fushatës elektorale. Ata u lidhën me elementë reaksionarë dhe tradhëtarë të maskuar në Frontin Demokratik, si: Shefqet Beja, Riza Dani, Gjergj Kokoshi, Selaudin Toto, Sami Qeribashi, Suat Asllani e ndonjë tjetër. Disa nga këta do t`i udhëzonin të dilnin hapur në momentet e përshtatëshme, ndërsa të tjerët do të vazhdonin të qëndronin si njerzit e fshehur në “Kalin e Trojës”, që në momentin oportun, t`i lëshonin për të minuar nga brenda Frontin dhe për ta na goditur befasisht pas shpine. Ky ishte një plan i gjërë i hartuar nga Londra dhe aleatja e saj përtej Atllantikut. Dëgjonim zëra se reaksioni po përpiqej që të krijonte një parti, që do të dilte kundër programit të Frontit. Dhe siç thotë populli, ku ka zë, s`është pa gjë. Nuk ishin pa domethënie pyetjet e gjeneralit Hodgson në bisedën që patëm kur erdhi në Shqipëri. Ai më pyeti se: a do të merrte pjesë ndonjë grup në zgjedhje jashtë Frontit? Këtë gja ai ma kërkoi pas asaj për partitë politike, që ne nuk kishim lejuar të formoheshin. Unë ju përgjigja atij: ‘Sipas shenjave të deritanishme zoti gjeneral, nuk ka dhe s` ka pse të ketë. Dhe a e dini pse? Sepse është lufta e popullit shqiptar që e zgjidhi këtë çështje. Opozitën e hoqi qafe lufta, revolucioni popullor, sepse ajo ra në prehërin e pushtuesëve dhe u kompromentua’. Mbas përgjigjies sime, ai më pyeti: ‘Mirpo zoti Hoxha, nuk paska të paktën kandidatë indipendentë që të konkurojnë në fushatën elektorale?! Unë ju përgjigja: ‘Individë që nuk ju pëlqen politika e pushtetit popullor, mund të ketë zoti gjeneral dhe kjo është e llogjikëshme. Fronti te ne përfshin shumicën dërmuese të popullit shqiptar. Kjo është fitore e madhe për demokracinë. Nuk është e thënë se po s`pati opozitë, nuk ka demokraci. Bile kjo është demokraci më e gjërë, është demokraci e shumicës. Pas kësaj, gjenerali më tha: ‘E kisha fjalën për kandidatët indipendentë’. Unë ju përgjigja, se ligji elektoral i lejonte kujtdo që të vinte kandidaturën dhe s`do ishte faji ynë në rast se ata nuk do gjenin 20 vetë që të ishin pro tyre për t`i përkrahur në zgjedhje. Pas kësaj, gjenerali Hodgson më tha: ‘Te ju nuk ka shtyp tjetër, përveç se atij zyrtar’?! Unë ju përgjigja, se ishte e vërtetë se tek ne nuk kishte shtyp tjetër përveç atij zyrtar, por ama aty kishte të drejtë të shkruante kush të donte, përveç armiqëve të popullit shqiptar. Këtë që po më thoshte me diplomaci ky përaqsues i reaksionit të jashtëm, s` kaloi kohë dhe po i dëgjonim në forma të tjera, por tepër agresive, nga reaksioni i brendshëm”, përfundon dëshminë e tij Enver Hoxha, lidhur me bisedën që ai zhvilloi me gjeneralin britanik Hodgson, i cili së bashku me përfaqsuesin e qeverisë amerikane në Shqipëri, Harry Fultz, i kërkuan Enverit zgjedhje të lira dhe demokratike, ku të përfaqsohej dhe opozita. Deri në atë kohë qeverinë shqiptare e kishin njohur vetëm Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia dhe Polonia. Por fatkeqësisht, megjithë presionet e përfaqsuesëve të qeverive anglo-amerikane për ligjin elektoral dhe zgjedhjet e lira e të fshehta, Enver Hoxha nuk bëri asnjë hap në këtë drejtim, pasi më 19 nëntor 1945, qeveria sovjetike nëpërmjet kolonelit Sokolov, i ofroi atij përfaqsinë diplomatike në Tiranë. Ndonëse ligji elektoral formalisht nuk e ndalonte kandidimin e deputetëve të pavarur, ajo pothuaj ishte e pamundur. Kështu avokati i njohur Koço Dilo, që tentoi të dilte si i tillë, pas një presioni dhe kërcënimesh që ju bënë nga ana e Sigurimit të shtetit dhe njerëzve të Frontit, u detyrua të jepte dorehëqjen.

Kush ishin kandidatët e Frontit?

Ligji elektoral i miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar (KANÇ), vendosi që Parlamenti i parë shqiptar i pasluftës që do të dilte nga zgjedhjet e 2 dhjetorit, do të përbëhej nga 106 deputetë që do dilnin nga Qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Beratit, Peshkopisë, Kukësit, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit e Vlorës. Lista e kandidatëve të Frontit përbëhej kryesisht nga personalitetet e Luftës që kryesohej nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, gjeneral-leitnant Koci Xoxe dhe tre gjeneralët-majorët: Spiro Mojsiu, Myslym Peza dhe Dali Ndreu. Pas këtyre kishte dhe ushtarëkë të tjerë që përbënin numrin më të madh të deputetëvetë, si kolonelët: Hysni Kapo, Haxhi Lleshi, Kristo Themelko, Islam Radovicka, Shefqet Peçi, si dhe disa nënkolonelë. Përveç ushtarakëve, në listën e kandidatëve ishin dhe disa intelektualë të njohur, si: Prof. Skënder Luarasi, Prof. Kol Prela. Prof Aleksandër Xhuvani, Prof. Sali Mborja, Prof. Sejfulla Malëshova. Prof. Siri Shapllo, Prof. Kadri Baboçi dhe Dr. Ymer Dishnica, Dr. Enver Sazani, Dr. Petraq Popa dhe Dr. Medar Shtylla. Në listën e kandidatëve binin në sy dhe një numër nacionalistësh që nuk ishin komunistë, por që kishin luftuar apo kishin përkrahur Frontin, siç ishin: Kolonel Baba Faja Martaneshi, Sheh Karbunara, Baba Fejzo Dervishi, Myslym Peza, Mestan Ujaniku, Hysen Zaloshnja etj. Nga 106 kandidatët e Frontit Demokratik, ishin vetëm dy gra, Ollga Plumbi që kandidonte në Tiranë dhe Liri Gega në Vlorë. Në listën e kandidatëve potencialë, binte në sy mungesa e Mehmet Shehut, i cili asokohe studjonte në Bashkimin Sovjetik në Akademinë e Shtatmadhorisë. Shumica e kandidatëve të Frontit, duke përjashtuar Enver Hoxhën që kandidoi në Tiranë, kandiduan nëpër qytetet e tyre. Kështu në Tiranë, përveç Hoxhës ishin dhe: Abdyl Këllezi, Beqir Balluku, Gogo Nushi, Hasan Reçi dhe Ollga Plumbi. Në Korçë kandidonin Koci Xoxe, Pilo Peristeri, Koço Tashko, Kristo Themelko etj., në Durrës, Nako Spiro, Dr. Enver Sazani, Spiro Mojsiu etj., në Vlorë Hysni Kapo, Spiro Koleka, Liri Gega, Bilbil Klosi, Shefqet Musaraj etj., në Gjirokastër, Omer Nishani, Bedri Spahiu, Sejfulla Malëshova., në Shkodër Tuk Jakova, Mark Ndoja, Zef Malaj e Gjovalin Luka.

Si u zhvillua fushata elektorale dhe zgjedhjet?

Fushata elektorale e zgjedhjeve të 2 dhjetorit u hap që në fillimin e majit nëntor. Kandidatëve të vetëm të Frontit ju bëhej një propagandë e madhe në Radio-Tirana dhe në gazetën “Bashkimi” e cila çdo ditë publikonte me foto dhe shkrime kandidatët e saj. Po kështu të gjithë kandidatët e Frontit hapën zyrat e tyre elektorale me shtabe të caktura më parë që përbëheshin kryesisht prej dhjetë personash që ishin publikuar në gazetën “Bashkimi”. Përveç Radio-Tiranës dhe gazetës “Bashkimit” për kandidatët e Frontit, ishte i angazhuar i gjithë shteti komunist me gjithë arsenalin propagandistik që kishte në dispozicion, duke mbajtur mitingje të shumta dhe duke bërë presione nga më të ndryshmet, për t`i detyruar njerzit që të votonin për kandidatët e Frontit. Nisur nga presioni i anglo-amerikanëve, Enver Hoxha u detyrua që të lejonte disa gazetarë të huaj nga vëndet perëndimore për të ndjekur zgjdhjet, siç ishte korespodenti i “Deli-Telegraf”, e ndonjë tjetër, për të cilët, me cilësinë e Kryeministrit, ai dha një konferencë shtypi në Hotel “Dajti”, ku kishte dhe rezidencën qeveria. Në atë konferencë, pasi falenderoj gazetarët për pjesmarrjen e tyre, Enver Hoxha i bëri një rezyme Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të zhvilluar prej Frontit, pa thënë asnjë fjalë për ligjin elektoral dhe Partinë Komuniste që kandidonte e vetme nën maskën e Frontit. Ndonëse atmosfera para zgjedhore ishte e gjitha e kontrolluar nga ana e Frontit, në shumë qytete dhe qarqe të vendit, pati reagime të ndryshme, kundra politikës që po ndiqte qeveria komuniste e Enver Hoxhës. Kështu në qytetin e Shkodrës, një grup të rinjsh gjimnazistë dhe seminaristë të Kolegjit Françeskan, krijuan grupimin antikomunist “Bashkimi Shqiptar” të cilët shpërndanin trakte me përmbajtje antikomuniste. Pjestarët e këtij grupi u arrestuan pothuaj të gjithë, pak ditë para zgjedhjeve dhe 5 prej tyre u pushkatuan. Po kështu disa nacionalistë që ishin të arratisur në male, si kolonel i Monarkisë së Zogut, Muharrem Bajraktari dhe gjenerali Prenk Previzi, (ish-Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në vitet 1943-‘44), i shkruan disa letra proteste, përfaqsive perendimore që ishin në Tiranë. Më 2 dhjetor u zhvillua proçesi zgjedhor, nën një situatë që kontrollohej plotësisht nga qeveria në fuqi. Në qëndrat e votimit ishin të vendosura dy kuti, ku njëra përfaqsonte Frontin Demokratik, kurse tjetra kundërsharët e saj. Votimi u bë me gogla gome dhe votuesit i hidhnin goglat në atë kuti që dëshironin. Në atë proçes zgjedhor pati shumë abuzime nga që komisionet ishin vetëm me përfaqsues të Frontit dhe numrimin e votave e bënë pa prezencën e ndonjë opozite. Kështu, në shumë qendra votimi kryesisht të zonave të Veriut që quheshin reaksionare, kutitë e kandidatëve të Frontit që mbetën bosh, gjatë numërimit u mbushën me ato që ishin kundër tyre.

Rezultati i zgjedhjeve

Disa ditë pas proçesit zgjedhor, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i përbërë nga Kryetari Andrea Sahatçi, Sekretari Andrea Nathanaili, dhe antarët Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa, Faik Dishnica dhe Xhavit Gjata, shpallën rezultatet e votimeve. Kështu sipas këtij komisjoni nga 603.566 zgjedhës që ishin të regjistruar në listat e votimit, morën pjesë në votime 543.354 zgjedhës që përbënin 90,02 %. Nga këta zgjedhës 506319 votuan për kandidatët e Frontit Demokratik dhe 36.758 vota u hodhën në kutinë pa kandidat, kurse 227 vota u hodhën në favor të një kandidati të pavarur. Kështu për kandidatët e Frontit votuan 93.18 %, kundër tyre 6.77 % dhe 007 % për kandidatin e pavarur. Nga 106  kandidatët e Frontit Demokratik numërin më të madh të votave kundra e kishte Ollga Plumbi në Tiranë, e cila nga 18.242 votues 2.269 votuan kundër saj. Pas Ollga Plumbit më shumë vota kundër mori Enver Hoxha. Kështu nga 17564 votues, 2.151 votuan kundër tij. Sidoqoftë këtyre rezultateve, Fronti Demokratik shpalli zyrtarisht zgjedhjet e fituara dhe nga ata deputetë u zgjodh një Asamble Kushtetuese e cila rreth 40 ditë më vonë më 11 janar 1946 në sallën ku sot është Akademia e Arteve, shpalli Shqipërinë Republikë Popullore. /Memorie.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

E trishtë/ Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-sulmuesi

Ish-sulmuesi xhamajkan, Luton Shelton ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, për shkak të një sëmundje. Shelton ishte diagnostikuar në vitin 2018 me sëmundjen “ALS”, e...

Berlini përgatitet për konsultime me administratën Biden

Lehtësimi i jashtëzakonshëm u shpreh në Gjermani që kur Joe Bideni i fitoi zgjedhjet presidenciale. Kurse të mërkurën (20.01.), kancelarja Angela Merkel i shkroi...

Samsung u ngrit si një dyqan që shiste perime, dhe kuriozitete që nuk i dinit

Sistemi ligjor i Japonisë ka një normë dënimi prej 99 për qind. Peshkimi mbetet profesioni i dytë më i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara, pas...

Analisti: Basha do ketë Tiranën, ja kush do jetë drejtuesi i PD në Gjirokastër

Partia Demokratike ka emëruar drejtuesit politik në pjesën më të madhe të qarqeve, ndërkohë që janë ende për t’u zbuluar se cilët do të...

A do jetë sërish kandidat për deputet? Ja si përgjigjet Ervin Salianji

Ervin Salianji është shprehur se ekziston mundësia që ai të jetë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike. I ftuar në “Zonë e lirë”,...