Drejtuesi i Partisë Demokratike për qarkun Tiranë, Belind Këlliçi, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, duke i cilësuar ato si një masakër elektorale dhe duke denoncuar një sërë parregullsish që, sipas tij, kanë deformuar vullnetin e votuesve.
I ftuar në një studio televizive, Këlliçi tha se është përdorur gjerësisht ajo që e quajti “fenomeni bullgar”, për të cilin opozita ka ngritur më herët alarmin.
“Zgjedhjet ishin një masakër elektorale. Fenomeni Bullgar është përdorur gjerësisht dhe e kemi denoncuar. Janë gjetur gjithashtu edhe disa fleta votimi me ngjyrë tjetër dhe këtë e kanë konfirmuar edhe numëruesit,” – deklaroi ai.
Sipas tij, janë identifikuar rreth 180 fletë votimi identike, të cilat, sipas pretendimeve të PD, janë plotësuar nga i njëjti person. Ai theksoi se ka foto dhe video si provë për këto shkelje.
Në lidhje me votën e diasporës, Këlliçi e cilësoi atë si një kasaphanë, duke thënë se fletët e votimit kishin shenja identike dhe se kishte më shumë fletë votimi sesa zarfa të shpërndarë.
“Vota e diasporës ishte një kasaphanë. Ato kishin të njëjtat shenja, të vendosura nga i njëjti person. Në kuti janë më shumë fletë votimi se zarfa të shpërndarë. Shkeljet janë flagrante dhe nuk duhet të lihet pa u vënë re,” – theksoi Këlliçi.
Ai përfundoi duke akuzuar për krim zgjedhor të kapur në flagrancë gjatë ditës së votimit, duke paralajmëruar se opozita do të dokumentojë çdo shkelje.














