Nga sot e në vijim, të gjitha dyqanet ushqimore, farmacitë dhe bankat do jenë të hapura nga ora 05:00 deri në 17:30 të pasdites. Po kështu është zgjatur edhe koha për të bërë pazar. Qytetarët mund të bëjnë pazar në një hapësirë kohore prej 90 minuta në ditë. Këtë kohë mund ta shfrytëzojnë për shpezat e ditës, vetëm nëse janë të pajisur me një autorizim. Në të kundërt policia vepron me forcën e ligjit, duke i gjobitur.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kush shkel rregullat e karantinimit, dënohet jo vetëm me një gjobë prej 700 mijë lekësh, por rrezikon deri në 10 vjet heqje lirie. Sipas tij, nëse thyerja e karantinimit shkakton pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve, dënohet me burg nga 3 deri në 10 vjet. Por, nëse nga thyerja e karantinës shkakton vdekjen e personit tjetër, dënimi mund të shkojë nga 5-15 vite burg. Pritet që këto ndryshime në kodin penal dhe rrugor të miratohen në seancën plenare të datës 16 prill.
Këto ndryshme të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë janë paralajmëruar më herët edhe nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Bie në sy zgjatja e ndalim qarkullimit të qytetarëve dhe çdo lloj mjeti në fundjavë, duke filluar nga e premtja, në orën 17:30 deri të hënën në orën 05:00 deri në një urdhër të dytë.
Gjatë kësaj fashe orari, në fundjavë nuk do të lejohet asnjë lloj biznesi hapur, as farmacitë, marketet apo bizneset e tjera që lejohen të hapura gjatë javës nga ora 05:00-17:30.
Përjashtim nga urdhri bëjnë vetëm transporti i mallrave, policia, urgjenca, mediat dhe shërbimet delivery.