Aktualitet

Zëri i Amerikës: Olsian Çela mori mbështetjen e 101 deputetëve


               Publikuar në : 21:12 - 05/12/19 M S

Në Shqipëri, Parlamenti zgjodhi sot prokurorin e ri të Përgjithshëm, duke votuar në mbështetje të kandidatit Olsian Çela. Menjëherë pas votimit, z. Çela bëri betimin në sallë. Ai ishte i pari në listën me tre kandidatë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë i kishte propozuar Parlamentit. Ligji parashikon që në rast se një kandidat nuk merr 84 vota, atëherë automatikisht zgjidhet në detyrë, i pari i listës. Por zotit Çela nuk ju desh të përfitonte nga kjo klauzolë, pasi ai mori mbështetjen e 101 deputetëve.

Aktualisht prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, z. Çela ishte në garë me kryeprokuroren Arta Marku, e zgjedhur gati 2 vjet më parë me një mandat të përkohshëm, dhe me prokuroren e Apelit Fatjona Memçaj. Dy kandidatet në garë për drejtimin e Prokurorisë, morrën respektivisht 11 dhe 8 vota pro.

Zgjedhja e z. Çela u përshëndet menjëherë nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë. Në një postim në Twitter, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, shkruajti se “ne e mirëpresim zgjedhjet nga Parlamenti të z. Olsian Çela si Prokuror i Përgjithshëm”.

Z. Soreca përshëndeti dhe hedhjen e shortit për anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, e cila u bë në zyrat e Presidentit të Republikës, ndërsa në theksoi më tej se “zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon dhe mbetet një përparësi kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit”. /VOA

 


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT