Nga Vera Mironov “Foreign Policy”/ Mënyra se si perëndimorët e mendojnë terrorizmin islamik, është bërë gjithnjë e më e rrezikshme. Për dekada, zyrtarët janë përqendruar tek sulmet e organizuara nga Lindja e Mesme. Por sot kërcënimi i vërtetë, vjen gjithnjë e më pak nga banorët e Lindjes së Mesme.
Në ish-shtetet sovjetike dhe më gjerë, militantët që dikur kishin më së shumti ankesa lokale, po e kthejnë vëmendjen e tyre nga Perëndimi. Ata do të jenë kërcënim kryesor, ku duhet pasur vëmendja në vitin 2019. Kërcënimi i terroristëve të Lindjes së Mesme, është reduktuar për një farë periudhe.
Edhe gjatë luftës kundër Shtetit Islamik, rusisfolësit nga ish-vendet sovjetike, po kryenin tashmë shumë nga sulmet e mëdha në Perëndim. Ato përfshinin ngjarje sulme të “ujqërve të vetmuar”, si sulmet me kamionë të vitin 2017 mbi këmbësorët në Nju Jork dhe Stokholm, të dyja të kryera nga uzbekët, por edhe operacione më të ndërlikuara, si bombardimet vetëvrasëse të aeroportit të Stambollit, 2016, që mendohet se u organizuan nga një rus, dhe sulmi i vitit 2017 në një klub nate në të njëjtin qytet, i udhëhequr nga një uzbek.
Ka disa arsye për rritjen relative të terrorizmit anti-perëndimor nga bota post-sovjetike. Së pari, vitet e fundit, xhihadistët e Lindjes së Mesme kanë qenë shumë të zënë me konfliktet lokale në Irak, Siri dhe Jemen për të udhëhequr sulme diku tjetër. Ndërkohë vrulli i Shtetit Islamik është zbehur, pas disfatës së tij pothuajse totale në Irak dhe Siri.
Njëherazi, luftërat në Lindjen e Mesme i kanë transformuar militantët nga zonat rusishtfolëse,
të cilat më herët u përqëndruan në luftën kundër qeverive shtypëse në shtëpi, në terroristë globalë. Deri në vitin 2017, të paktën 8.500 luftëtarë nga ish-republikat sovjetike, u dyndën në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me ISIS-in.
Kjo përvojë, iu dha shumë prej këtyre xhihadistëve “shijen” e tyre të parë të ballafaqimit më trupat e SHBA dhe NATO-s, dhe i la të etur për hakmarrje, dhe me bindjen se operacionet e ardhshme duhet të synojnë Perëndimin. Për shembull, Ahmed Çataev, i cili dyshohet se ka organizuar sulmin në aeroportin e Stambollit, duket se fillimisht kishte bërë plane për të sulmuar objektivat perëndimore gjatë luftimeve në Irak dhe Siri.
Një bisedë telefonike, e bërë publike në media vitin e kaluar midis Çataev dhe një tjetër terroristi rus, Islam Atabiev, zbuloi se që të dy ishin duke planifikuar të mblidhnin informacione në disa konsullata, dhe restorante të frekuentuara shpesh nga amerikanët në Turqi dhe Gjeorgji.
E njëjta dinamikë, ka qenë e pranishme edhe më tutje në lindje, ku xhihadistët e testuar nëpër beteja nga bota post-sovjetike, mund të udhëtojnë shumë më lehtë se sa arabët që mbajnë pasaporta të Irakut, Sirisë apo Jemenit.
Ndërsa persekutimi i myslimanëve në Azi po rritet, po kështu po ndodh edhe me mundësitë që ankesat e tyre të marrin një përmasë ndërkombëtare. Kur isha në Bangladesh në korrikun e vitit 2018, pashë të paktën 2 grupe të veçanta nga Kaukazi, që ofronin ndihmë fetare në kampet e refugjatëve muslimanë Rohinga.
Një udhëheqës i një grupi rus të lidhur me militantët në Siri, tha se kishte planifikuar
gjithashtu të dërgonte disa nga njerëzit e tij në Bangladesh. Ky kontakt, mund të nxisë aftësitë e xhihadistëve lokalë, që tashmë kryejnë operacione anti-perëndimore në zonë, duke përfshirë ata që në vitin 2016 sulmuan një furrë buke në Dhaka, e cila ishte frekuentohej shpesh nga të dëbuarit.
Dhe ai mund të fitojë përkrahjen e më shumë Rohingave, më idenë se ata janë të përfshirë në një luftë globale për Islamin, dhe jo thjesht në një luftë lokale për mbijetesën e tyre. Në vitet e ardhshme, kërcënimi terrorist nga Rusia dhe më gjerë do të rritet.
Me rënien e Shtetit Islamik, terroristët rusishtfolës ishin kryesisht në gjendje të iknin nga Iraku dhe Siria me më shumë lehtësi, se sa luftëtarët e huaj të Lindjes së Mesme. Dhe tani po rikthehen në fshehtësi në ish-sferën sovjetike ose në Evropë. Pasi kanë shpëtuar nga armiqtë e ushtrisë amerikane, ata mund ta kenë më të lehtë të realizojnë komplotet e tyre.
Simpatitë lokale ndihmojnë. Neglizhenca qeveritare dhe represioni i hapur, i ka bërë myslimanët praktikantë në Kazakistan, Taxhikistan dhe Uzbekistan shënjestra tërheqëse për radikalët që kërkojnë rekrutë të rinj. Disa sheikë të njohur nga Lindja e Mesme, përfshirë klerikun saudit Abdulaziz Al-Tarefe, kanë tani ndjekës të shumtë në gjuhën ruse dhe arabe në mediat sociale.
Teksa po ndryshon gjeografia e terrorizmit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të duhet të përditësojnë strategjitë e tyre për ta luftuar atë. Gjatë 2 dekadave të fundit, Uashingtoni krijoi një burokraci të madhe rreth terrorizmit të Lindjes së Mesme.
Mijëra dollarë të padeklaruara zyrtarisht, u dhanë për gjetjen dhe trajnimin e studiuesve arabishtfolës dhe analistëve. Sipas të dhënave nga një program bursash të drejtuar nga qeveria amerikane, nga 550 studentë universitarë që do të pranohen në vitin 2019, 105 do të studiojnë arabisht dhe vetëm 60 rusisht.
Dhe sipas profesorëve me të cilët kam folur – nga shkollat më të njohur si Universiyetyin Harvard, Universiteti Xhon Hopkins, dhe Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare dhe Shërbimit Publik – shumica dërrmuese e studentëve që planifikojnë të punojnë në luftën kundër terrorizmit, merren me studimet e Lindjes së Mesme ose gjuhën arabe.
Ka ndërkaq një mungesë ekspertësh, të cilët të jenë specializuar mbi Azinë Qendrore, dhe që mund të trajnojnë një brez të ri analistësh. Ri-orientimi i fokusit të Perëndimit, do të përfshijë gjithashtu sfida politike, pasi Shtetet e Bashkuara do të duhet të gjejnë një rrugë për të bashkëpunuar me Rusinë dhe fqinjët e saj.
Për shembull, gjatë viteve të fundit, kompanitë amerikane kanë përfituar nga fshirja e propagandës xhihadiste nga platformat e mediave sociale në SHBA. Por e njëjta propagandë është ende e disponueshme në aplikacionet në gjuhën ruse si VK dhe OK.
Telegram, i cili u themelua nga një shtetas rus, u bë gjithashtu një mjet i rëndësishëm komunikimi për terroristët e të gjitha prejardhjeve, dhe telefonat celularë të kapur nga Shteti Islamik, zbuluan se ata po vepronin me kartat SIM të Ukrainës.
Monitorimi i këtyre sistemeve dhe të tjerave, do të kërkojë një bashkëpunim të thellë dhe shkëmbim të informacioneve të inteligjencës me Rusinë. Por një bashkëpunim i tillë, nuk duket i mundshëm në të ardhmen e afërt. Mund të ketë thjesht shumë armiqësi mes Uashingtonit dhe Moskës, për të lejuar një bashkëpunim të efektshëm.
Ekziston ndërkohë edhe problemi i cilësisë së inteligjencës. Shumë nga ata që përfundojnë në listat e vëzhgimit si terroristë të dyshuar vendas, dhe madje edhe në listat e Interpolit në të gjithë rajonin, janë në fakt anëtarë të opozitës së brendshme. Ndërkohë, shumë terroristë të njohur nuk janë veçuar:Rusia është e mirënjohur për ofrimin e pasaportave për radikalët nga Kaukazi, me arsyetimin se lejimi i xhihadistëve të mundshëm që të largohen nga vendi, është diçka më e lehtë sesa përballja me ta në shtëpi.
Inteligjenca nga rajoni, është bërë kaq e politizuar dhe përdoret shumë më shpesh për të shkelur të drejtat e njeriut të shtetasve fetarë, sesa për të ndaluar sulme të vërteta terroriste – çka e bën të vështirë të dihet se çfarë do të bënin në këtë rast Shtetet e Bashkuara.
Perëndimi duhet ta kishte njohur me kohë këtë ndryshim. Nuk e bëri këtë, por kjo nuk do të thotë se s’duhet ta bëjë tani. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, duhet të pranojnë se sulmet e ardhshme, kanë më shumë gjasa të vijnë nga Lindja ish-sovjetike sesa nga Lindja e Mesme, dhe se nuk ka alternativë tjetër, përveçse të bashkëpunohet me Rusinë dhe fqinjët e saj, për t’i ndalur ata.
Nëse Shtetet e Bashkuara nuk arrijnë ta bëjnë këtë, do të shohin së shpejti efektet, si një rritje e sulmeve ndaj Shteteve të Bashkuara, apo edhe në lindjen e një grupi të ri terroristësh, kryesisht nga vendet ish-sovjetike në një nga zonat e shumta të luftrave në botë.
Shënim: Vera Mironova, është një studiuese në departamentin e ekonomisë së Universitetit të Harvardit në SHBA.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce