Editorial - Opinione

Zbuloni cilat janë rrjetet sociale të manipuluara dhe përfitimet e tyre marramendëse

               Publikuar në : 22:11 - 12/01/19 lm

Nga Federico Gennari Santori “eastwest.eu”/ Marsin e vitit të shkuar revista amerikane “Wired”, publikoi në kopertinën e saj fytyrën e vrerosur të Mark Zukerbergut, shprehje e goditjeve të forta që kishte marrë platforma e tij Facebook. Por goditjet sapo kishin filluar. Që atëherë kompania ka marrë shumë goditje, me implikimet sociale dhe politike që e karakterizuan thellësisht vitin 2018.

Rasti i “Cambridge Analytica”, manipulimi i konsensusit gjatë zgjedhjeve amerikane dhe referendumit Brexit, fushata anti-Soros e dokumentuar nga “The New York Times”. Pra dëme reputacionale, dezertime të brendshme, konflikte me investitorët.

Në tremujorin e fundit, aksionet e Facebook kanë rënë me 30 për qind, dhe Zukerberg – kështu thuhet – ka vendosur t’i japë fund kësaj problematike. Një vit i tmerrshëm. Megjithatë, kjo ka ndezur një dritë mbi çështjen e privatësisë në rrjet, dhe rreziqet ndaj demokracisë.

Duke dëshmuar se cila është fuqia e gjigantëve digjitalë. Dhe se si ka mbetur pas pjesa më e madhe e politikës, e aftë për të evokuar respektimin e rregullave, për të cilat ka ardhur vërtet koha që të shkruhen. Në këtë “Perëndim të Egër”, sikurse e ka quajtur Stiven Spielbergu, vëmendjen e përfaqësuesve tanë, e medias dhe opinionit publikut është fokusuar tek Facebook, sigurisht më i ekspozuari, duke harruar thuajse ekzistencën e dy “vëllezërve” të tij:Google, që më 2018-ën kremtoi 20-vjetorin e tij, dhe Amazon, që zbarkoi 20 vite më parë në Evropë.

Për shkak se skandalet e fundit, janë vetëm sipërfaqja e “oqeanit” ku lundrojnë miliarda njerëz. Facebook ka 2.23 miliardë përdorues aktivë çdo muaj në botë, për t’iu bashkuar miliardave në Instagram, 1.5 miliardëve në WhatsApp dhe 1.3 miliardë të aplikacionit Messenger.

Google ka YouTube dhe sistemin operativ mobil Android, i përdorur nga rreth 2 miliardë përdorues, përveç sistemeve të tilla si Gmail, Maps, Drive dhe Chrome, me të paktën nga 1 miliardë secili.

Për Amazon flet ekonomia:mbi 2 miliardë produkte të shitura në vitin 2018,  për kategorinë “prime”, dhe  vlerën e 1 trilionë dollarë të arritur në bursa në muajin shtator. Këto shifra dhe shumëllojshmëria e shërbimeve të ofruara, na japin një ide mbi përhapjen e këtyre tre kompanive në jetën tonë.

Platformat e mëdha digjitale, janë bërë pjesë integrale e jetës sonë. Facebook ka riprodhuar marrëdhëniet tona shoqërore, duke u mbështetur tek dëshira për të ndarë dhe futur hundët në punët e të tjerëve përmes profileve, miqësive dhe pëlqimeve. Google ka indeksuar informacionin dhe njohuritë që kemi në dispozicion, duke iu përgjigjur nevojës sonë për të njohur me Google Search, News, Books, Maps.

Amazon ka ndërtuar dyqanin më të madh në botë, duke thjeshtuar blerjet në internet dhe dërgesat. Pra, këta kolosë, megjithëse janë në konkurrencë me njëri-tjetrin, kanë gjetur balancën në një ndarje me 3 pjesë:secili ka monopolin e një sektori të caktuar të përvojës online, dhe së bashku, ato përbëjnë një triopol që dominon internetin.

Kjo histori nisi të paktën 20 vjet më parë. Platformat, filluan të ofrojnë shërbime të dobishme, efikase dhe të këndshme, që fituan besimin e përdoruesve, dhe e shkatërruan konkurrencën. Ata depërtuan gradualisht në jetën tonë, duke u bërë të nevojshëm.

Me ndërfaqet e tyre, ata kanë ndryshuar mënyrën se si veprojmë, ndërveprojmë dhe mendojmë. Ata e bënë këtë me pëlqimin tonë, përkundrejt një shpërblimi të supozuar, dhe me qëllim forcimin sa më shumë të kësaj lidhjeje. Sot është e qartë:ne mendojmë për Google Maps, ku hapësirat në të cilat lëvizim, janë ri-krijuar në mënyrë digjitale për të na orientuar kudo; për të shtuar realitetin, teknologjinë e përdorur në historitë e Facebook dhe Instagram, që mbivendos objekte digjitale në atë që ne inkuadrojmë me kamerën e smartfonit; tek ndihmësit më të fundit virtualë si Alexa nga Amazon, një softuer me të cilin mund të flitet.

Aplikacione të tilla, na lejojnë të dimë se ku jemi dhe si lëvizim, cilat pyetje i bëjmë vetes, çfarë shohim. Dhe këtu qëndron problemi. Të jesh i shpërndarë, do të thotë të njohësh njëri-tjetrin:të lexosh pjesë të jetës sonë, sikur të ishin një libër. Njohja e njëri-tjetrit, do të thotë të vendosësh çdo libër në një raft librash të veçantë:të profilohemi dhe lidhemi me njëri-tjetrin.

Çdo aktivitet që bëjmë përmes internetit nxjerr të dhëna mbi interesat, shijet, prirjet dhe sjelljet tona:blloqet ndërtuese të përfaqësimit virtual, në të cilin jemi zhytur. Kontrolli i ushtruar nga Facebook, Google dhe Amazon është rreth asaj që ne bëjmë, por edhe asaj që mund të bëjmë, dhe ndoshta do të bëjmë.

Zotërimi i të dhënave dhe interpretimi i tyre, na mundëson të bëjmë parashikime:ai bazohet në modelin e biznesit të 3 gjigantëve dixhitalë, të cilët u tregojnë përdoruesve reklama, produkte , informacionet dhe përmbajtjet të të gjitha llojeve, në bazë të asaj që ata dinë rreth tyre, duke bërë më të dukshme atë që mund të vlerësohet me shumë, dhe që mund të nxisë veprime të mëtejshme (si një klikim, një blerje, etj).

Kjo është arsyeja pse Facebook dhe Google, blejnë nga palët e treta të dhënat mbi përdorimin e kartës së kreditit. Kjo është arsyeja se pse Google, “lexonte” mesazhet e dërguara me Gmail. Kjo është arsyeja pse Google dhe Amazon, investojnë në shërbimet ‘cloud computing’, në të cilat mijëra kompani mbështeten në të dhënat e tyre dhe argëtimin, nga muzika tek videot.

Mund të themi se, përveç fitimit të përbashkët nga të gjitha kompanitë, triopoli ka një vokacion për gjithëdijen. Sepse “të dhënat përfaqësojnë një kartografi të psikikës sonë”- thotë Frenklin Foer, autor i librit “Bota pa mendje:Kërcënimi ekzistencial i teknologjisë së madhe”..

“Ata i njohin dobësitë tona, gjërat që na japin kënaqësi, dhe ato që na shkaktojnë ankth dhe zemërim. Ata i përdorin këtë informacione, për të na mbajtur të varur”.  E gjitha kjo mundet veçse të rritet me përparimin e inteligjencës artificiale. Imagjinoni se çfarë niveli njohurish mbi përdoruesit, mund të arrihet duke analizuar dialogun me një asistent virtual më të evoluar se ata të sotmit.

Ku do të mbërrijmë? S’ka nevojë të përdoret fiksioni, për të imagjinuar disa skenarë dystopianë. Sikur ajo që bëri “Cambridge Analytica” të mos ishte mjaftueshëm shqetësuese, në Kinë, sapo ka hyrë në fuqi i ashtuquajturi “krediti social”:një sistem që përmes bashkëpunimit midis autoriteteve qeveritare dhe platformave dominuese IT (Baidu , WeChat, Tencent, etj.) jep një rezultat publik për secilin qytetar, bazuar në sjelljen e tij në internet dhe jashtë tij.

Është e vështirë që diçka e ngjashme të ndodhë në Perëndim:që nga viti 2017, institucionet janë përplasur në mënyrë të përsëritur me Facebook dhe Google, dhe tema të tilla si botuesit apo qendrat e mediave kanë nxitur rebelime të vogla. Por ka një çështje që duhet të adresohet njëherë e mirë:si të kontrollohen gjigantët e internetit, dhe si të frenohet fuqia e tyre?

Zgjidhja nuk është statizmi i Pekinit, e lëre më pastaj ludizmi teknologjik i predikuar nga disa. Ne kemi nevojë për politika aktive:rregullat në hap me kohën dhe investimet, që të mos u lëmë këtyre kompanive, ekskluzitetin për kërkime dhe zhvillim teknologjik. Përashtati për Tirana Today, Alket Goce

Kthehu