Një letër që supozohej të ishte shkruar nga trajneri i Kroacisë Zlatko Dalic në pak minuta ka bërë xhiron e botës. Në të shkruheshin shumë fjalë kundër politikanëve kroatë të cilët ai i cilësonte si fajtorët kryesor të rrënimit ekonomik në vend. Po ashtu se 25 milionë eurot që kishte fituar skuadra pas suksesit në Botëror do të shkonte për fëmijët e varfër.
Por autori i vërtetë i letrës së bërë publike në të gjitha media është Igor Premuzic, ai sqaroi për portalin kroat “Dnevno” se ai i kishte shkruar ato rreshta duke menduar se si duhet të ishte situata në të vërtetë dhe se si duhet të ishin sjellë sportistët dhe patriotët e vërtetë.
Letra e plotë:
“Kjo gjeneratë ka treguar se një grup lojtarësh të mëdhenj mund të arrijë majat, pavarësisht kombësisë, buxhetit, apo rëndësisë së stadiumit. I shkruaj këto rreshta, për shkak të situatës së vështirë në Kroaci. Kroacia është vendi më i varfër i Bashkimit Europian, i qeverisur nga ajo që është konsideruar një organizatë kriminale. Kroacia është një vend, nga ku miliona persona kanë ikur në 20 vitet e fundit.
Sot në Kroaci pensionistët nuk plotësojnë dot nevojat bazë, të rinjtë nuk arrijnë të arsimohen, shëndeti është i rrezikuar dhe drejtuesit e institucioneve janë të korruptuar. U kërkoj politikanëve dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë që e kanë katandisur popullin tim kështu, duke e zhytur në varfëri dhe dëshpërim, të largohen nga Kombëtarja e Kroacisë. Nuk jeni të mirëpritur në dhomat tona të zhveshjes. Nuk duam t’u shtrëngojmë dorën dhe të bëjmë foto me ju! Ju e keni bërë Kroacinë kështu.
Kemi fëmijë në Kroaci që nuk e kanë parë kurrë detin me sy, edhe pse vendi ynë ka vijën më të gjatë bregdetare. Kemi fëmijë që shkojnë në shtrat të uritur, sepse prindërit e tyre janë pa punë. Nuk kanë çfarë t’u japin për të ngrënë. Personat që kanë sjellë këtë gjendje, nuk janë të mirëpritur. Respektoni vendimin tonë. Mos vishni fanellën e Kombëtares për të promovuar suksesin tuaj, sepse do të minonit vlerën e punës tonë.
Pjesëtarët e Kombëtares së futbollit janë me popullin kroat dhe do të bëjnë gjithçka për ta ndihmuar atë, përtej fitoreve në Botëror. Të gjithë fëmijët kroatë do të kenë mundësinë të pushojnë të paktën për shtatë ditë në bregdetin kroat. Është minimumi që mund të bëjmë për më të varfrit”.