Qeveria ka marrë masat e menjëhershme, pas zbulimit të dy rasteve me koronavirus në Shqipëri. Mbyllja e shkollave dhe ndalimi i të gjitha aktiviteteve publike deri më datë 3 prill, ishin ndër masat e lançuara sot nga Rama.
Dy të prekurit e parë nga koronavirusi, babë e bir, me inicialet V.K., 54 vjeç dhe P.K., 28 vjeç, janë izoluar në ambientet e Spitalit Infektiv, menjëherë pasi janë konstatuar se janë të prekur nga ky virus. “Ora News” ka siguruar pamjet e ambientit ku ndodhen dy të infektuarit.
Ka qenë 28 vjeçari, i cili ka mbërritur në Shqipëri prej Firences në 26 shkurt. I riu ka infektuar të atin, të cilët mbrëmjen e së dielës kanë kërkuar ndihmë përmes numrit të telefonit 127, që i përket emergjencës.
Në Spitalin Infektiv ka nisur dhe disinfektimi i ambienteve, ndërsa janë shtuar edhe masat e sigurisë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se në të gjitha spitalet do të kufizohet lëvizja e shoqëruesve dhe e familjarëve të pacientëve. Të vetmet raste të lejuara do të jenë vetëm kur kërkesa është bërë nga Drejtoria Spitalore.