Yuri Kim: SHBA-të nuk mbështesin asnjë parti apo kandidat të caktuar politik

Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim ka ripërsëritur qëndrimin e SHBA-ve në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Në një prononcim për mediat nga Fieri, Kim u shpreh se SHBA-të nuk mbështesin një parti apo një kandidat të caktuar politik.

Ajo tha se e vetmja që që SHBA-të dhe ajo personalisht mbështet, është e drejta e popullit shqiptar që të shprehë vullnetin e tij përmes votës.

Yuri Kim: ”Është pjesë e përpjekjeve të mia që të shikoj sa më shumë nga Shqipëria veçanërisht duke pasur parasysh se jemi para zgjedhjeve të 25 prilli. Unë jam një person shumë i drejtpërdrejt dhe ju siguroj që nëse do të doja që ju të votonit për dikë do ua thosha, dhe jo një mesazh të fshehur. SHBA-të nuk mbështesin një parti apo një kandidat të caktuar politik, e vetmja gjë që mbështesim është e drejta e popullit shqiptar që të shprehë vullnetin e tij përmes votës.

Paralajmërojmë kundër kujtdo që duan ta mohojnë këtë të drejtë duke e blerë apo duke e shitur votën. Kjo është shumë e rëndësishme që votuesit ta mbajnë mend që ata kanë fuqinë, por edhe përgjegjësinë. Jam e frymëzuar sot, sepse në Vlorë jam takuar me drejtuesit e shoqërisë civile aty, në një demokraci shoqëria civile ka një rol jetik.”