Ish-kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka kërkuar dorëheqjen e Enkelejd Alibeajt. Në të njëjtën kohë, Berisha akuzon ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim, se po bën presion në gjykatë.
“Rishiko pozicionin sepse ti punon kundër PD, për interes të Bashës, i cili kontrollohet nga Rama”, ka thënë Berisha, duke shtuar:
“Përbashkimi i PD-së ka patur vështirësi, por ekziston një vullnet i gjerë, si në bazë, si te deputetët për të zhbërë për një periudhë të shkurter perçarjen. Por po ju them në këtë kontekst u shpreh publikisht se ne e pranojmë kryetarin e grupit edhe pse në 11 dhjetor është i shkarkuar nga detyra.
Duheshin bërë hapa në këtë drejtim. Por një njeri që dha doreheqjen, iku dhe pasoi një zinxhir ngjarjesh. Ai mbart me vete të verteta të hidhura si dosjen ruse psh. Unë e kam mohuar vetë, por dolën gabim të dhënat që kisha unë. Por ka edhe një gjë tjetër. Pa asnjë tagër, Alibeaj padit PD-në në gjykatë. Padit një proces që demokratët e kanë pranuar. Yuri Kim ka bërë presion në gjykatë”, tha Berisha.
Kreu i grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj, i është përgjigjur Berishës.
“Kam shumë respekt për ju doktor. Por në cilësinë time, duhet që ta apeloja vendimin e gjykatës. Unë nuk e kam bërë në titull personal ankimin. Vendimi i gjykatës mendoj se është i paligjshëm, kur të flasë Apeli do e pranoj i pari”.