Kryedemokrati Basha do të takojë sot në orën 16:00, ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim. Pas vendimit për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Grupi Parlamentar i PD-së, ky është takimi i parë mes kryedemokratit dhe ambasadores Kim.
Dy ditë më parë, kreu i PD-së ia bëri të qartë Sali Berishës se nuk do ketë mbledhje të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, për të shqyrtuar vendimin për përjashtimin e tij. Sipas tij, Kuvendi i PD-së nuk mund të shqyrtojë vendimet e Qeverisë amerikane.
Ai i mëshoi fort faktit se nuk është as kukull e ish-liderit të Partisë Demokratike, dhe nuk është dhe nuk do të jetë kurrë peng i kundërshtarit të tij politik. Ambasadorja Kim kishte kërkuar shkëputjen e PD-së nga ish-lideri historik Sali Berisha.
Në takimin me Lulzim Bashën në fund të muajit qershor, ajo u shpreh se forca e parë anti-komuniste në vend, “nuk mund të hajë barë” për interesat e një njeriu të vetëm.