Kuriozitete

Xhoel Salinas, doktori me sindromën e rrallë që ndjen dhimbjet e pacientëve të tij (video)


               Publikuar në : 12:07 - 16/09/19 M. S

Doktori amerikan Xhoel Salinas, vuan nga një gjendje e quajtur sinestezi. Si pasojë e kësaj gjendje, sa herë që Salinas sheh dikë të përjetojë dhimbje, apo madje edhe prek një person tjetër, truri i tij rikrijon të njëjtat ndjesi në trupin e tij.

Salinas, një neurolog në Shkollën Mjekësore të Harvardit në Masaçuset, po e përdor gjendjen e tij të rrallë, për të kuptuar më mirë gjendjen shëndetësore të pacientëve të tij. Në vitin 2008, kur ishte një student i vitit të tretë të mjekësisë, ai pa një person që po vdiste nga arresti kardiak. Pa asnjë paralajmërim, Salinas filloi të ndjejë dhimbje të forta në gjoksin e tij.

Kur pacienti vdiq, Salinas u rikthye në gjendje normale. Ajo që ndodhi me Salinasin, i detyrohet një gjendje të quajtur “sinestezi”. Në atë gjendje, shqisat e njerëzve shkrihen me njëra-tjetrën. Për shembull, nëse njerëzit me sinestezi dëgjojnë muzikë, atëherë ata perceptojnë edhe shije.

Ose mund të shohin ngjyra, teksa lexojnë shkronja ose numra. Në rastin e Salinas, ai percepton të njëjtat ndjesi me ato që ka dikush që e sheh apo e prek. Më vonë, mjeku i ri do të mësonte se gjendja e tij është një lloj i ri sinestezie, i njohur si “prekja në pasqyrë”.

Salinas ka kujtime që në fëmijërinë e tij të hershme me këtë gjendje. Ai pati shumë probleme për t’u përshtatur me fëmijët në shkollë. Salinas kujton se gjatë shkollës fillore, do ta perceptonte kumbimin e ziles së shkollës si blu. Kur shkruante, gërma B i dukej si hija e portokallit. Gjithashtu shihte ngjyra, edhe kur shkruante numrat.

Për më tepër, e pati të vështirë të kuptonte konceptet e matematikës. Ndërkohë, kujton se shikimi i televizorit e bënte të ndjehej mirë, pasi trupi i tij i pasqyronte të gjitha lëvizjet që ndodhnin në ekran. Kur u rrit, gjeti ngushëllim në shërimin e njerëzve dhe vendosi të bëhej mjek.

Vetëm në 2005, e kuptoi se mënyra se si e perceptonte botën, ishte disi e ndryshme nga njerëzit e tjerë. Ai u vizitua nga eksperti i njohur i sinestezisë, neurologu V.S Ramaçvandran, që i tha se gjendja e tij ishte një lloj sinestezie e re e quajtur “prekja në pasqyrë”.

Në parim, ai përjeton të njëjtën gjë që është duke përjetuar një person përballë tij. Salinas nuk bisedoi asnjëherë hapur me askënd për gjendjen e tij. Madje për shumë kohë nuk e cilësoi si një sindromë. Ai nuk ndihej ndryshe nga askush tjetër, dhe mendonte se ndoshta kështu ndjehen të gjithë.

Por në vitin 2005, kur ndodhej në një udhëtim pune në Indi, pikëpamja e Salinasit mbi veten e tij do të ndryshonte përgjithmonë. Gjatë udhëtimit, një nga studentët foli për disa njerëz që shohin ngjyra kur lexojnë gërma dhe numra. Salinas i tha studentit se kjo u ndodh të gjithëve. “Ai më pa ngultazi në sy dhe më tha: “Kjo nuk ndodh aspak me të gjithë”.

Atëhere, Salinas e kuptoi më në fund se sa i ndryshëm ishte nga të tjerët. Gjendja e tij u bë shqetësuese, kur Salinas filloi të përjetojë ekstremet e traumës fizike. Ai ndjente vuajtjet e pacientëve. Në sallën e operacionit, ai ndjente sikur prerja e bisturisë ndodhte në barkun e tij. Gjërat dolën jashtë kontrollit, kur një ditë pa një person të vdiste, teksa pak çaste më vonë nisi të villte.

Kjo e nxiti të kuptonte, se duhej të mendonte për një strategji, se si ta përballonte këtë situate, nëse dëshironte të vazhdonte profesionin e mjekut. “Mundoshesha të fokusohesha tek mënga apo jaka e një pacienti, ose të shihja veten time”, thotë ai. Ndërkohë, shkencëtarët sugjerojnë se ne të gjithë lindim ndoshta me sinestezi.

Sipas një studimi, bebet i shoqërojnë forma të ndryshme me ngjyra të ndryshme, por shkrirja e shqisave zvogëlohet ndërsa truri ynë zhvillohet. Në rastin e disa njerëzve si Salinas, shkrirja shqisore mbetet. Disa mund ta quajnë këtë si një sëmundje, por për Salinas, sinestezia e ka ndihmuar atë të jetë një mjek më i mirë. Ai thotë: “Sot nuk mund ta imagjinoj dot jetën time pa sinestezi. Nuk do të isha ai që jam”.

TIRANA TODAY

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT