Kryeministri Edi Rama duket se ka autorizuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të përfaqësojë interesat e shteteve të Ballkanit në takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron. Këtë detaj e ka zbuluar presidenti serb, gjatë një interviste të dhënë për gazetën gjermane “Der Spiegel”.
Duke iu referuar këtij burimi, Rama, por edhe Zaev e kanë autorizuar Vuçiç, të flasë në emër të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, gjatë takimit që patën në Ohër, në kuadër të nismës “mini-Shengeni” ballkanik.
Nga ky takim, Rama sulmoi edhe lidershipin në Kosovë, duke thënë se u vetëpërjashtuan dhe u izoluan nga kjo nismë.
“Unë isha me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Samitin e Ohrit, dhe ne u pajtuam pothuaj në të gjitha pikat, përfshirë edhe atë se unë do të flas me Macronin në emër të secilit, gjë që edhe e kam bërë javën e kaluar”, ka thënë Vuçiç.
Siç dihet, Vuçiç, në takimet me Macronin në Paris vetëm 2 ditë pas takimit të Ohrit, nuk ka gjetur shumë disponim për minishengenin. Kjo për faktin se Macron ka kërkuar që kjo iniciativë t’i përfshijë të gjithë, edhe Kosovën.
“Minishengeni është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur rajonit në 30 vitet e fundit. Jo më luftë, jo më masakra, në vend të kësaj ai është një lloj Skandinavie për të varfrit. Me të ne do të bëhemi një far motori i rritjes ekonomike për të gjithë Evropën”, ka Vuçiç.
E kur “Der Spiegel” e ka pyetur se a do të jetë Kosova pjesë e minishengenit, Vuçiç ka bërë pak propagandë.
“Kosovarët nuk po e dinë se çfarë po duan. Albin Kurti, që me gjasë do të bëhet lideri i tyre i ri, tingëllon sikur do të bëhet lider i Shqipërisë së Madhe. Kosova e sheh veten si shtet, por ne nuk e shohim kështu. Por ne megjithatë mund të bëjmë biznes të mirë bashkë”, ka thënë më tej ai.