Vrasja e Shkëlzen Kastratit/ Arrestohet 37-vjeçari në Nikël, ishte i armatosur

Policia e Shtetit ka arrestuar Albert Zajën, një prej personave të akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit në Fier.

37-vjeçari Zaja, banues në fshatin Larushkë të Niklës në Fushë Krujë, u vu në pranga pasditen e sotme në banesën e tij, ku iu gjet edhe një armë e llojit ‘Glock’, me fishek në gojë, gati për të gjuajtur.

Mësohet se Zaja tentoi të largohej kur pa praninë e uniformave të policisë, por pa ia arritur qëllimit.

”Në kuadër të operacionit , në fshatin Larushk të Krujës, Forcat Speciale RENEA bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit Albert Zaja. 37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga Policia ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe prangosur nga Policia.”, informon policia.

Autorët e tjerë të shpallur në kërkim për ekzekutimin e Kastratit janë: Elmir Tufa, 29 vjeç, banues Fushë Krujë; Elson  Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamëz dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç,  banues në Tiranë.

Si ndodhi vrasja e Shkëlzen Kastratit?

40- vjeçariu ekzekutua paraditen e 1 shkurtit pranë Rrethit në fshatin Sheq në Fier. Për vrasjen u përdor një automatik Skorpions i pajisur me silenciator, ndërsa makina tip Range Rover me targa greke që u përdor për atentatin u gjet e djegur në vendin e quajtur Kthesa e Baltëzës.

Pistat kryesore

Dyshohet se ngjarja lidhet me një përplasje të vjetër mes familjeve Binjaku dhe Kastrati, për shkak të përfshirjes së vëllait të tij, Klementit në një sagë hakmarrjeje me Ermal Binjakun. Në vitin 2016, një atentat i ngjashëm iu bë të vëllait tek Ura e Mbrostarit në Fier, por plumbat i mori shoku i tij, Denis Kasaj, i cili humbi dhe jetën.