Detaje të reja janë hedhur në dritë sa i takon ekzekutimit të ish-deputetit dhe ish-kreut të Komunës së Velipojës, Pashko Ujka. Përpos pistës së hetimit për borxhet dhe konflikte që mund të ketë pasur më herët, hetimet janë shtrirë tek pista e tjetërsimit të pronave në Velipojë. Autori i vrasjes është fiksuar nga kamerat e sigurisë. Bëhet me dije se kamerat kanë fiksuar siluetën e një personi që largohet me vrap, mes rrugicave pas ngjarjes.
Autori dyshohet se është i ri në moshë. Sot janë duke kqyrur kamera të tjera sigurie për të gjurmuar itinerarin e lëvizjes së tij, të cilat mund të ndihmojnë dhe zbulimin e autorit. Ky i fundit është larguar në këmbë, dhe deri tani nuk vërtetohet të jetë ndihmuar nga persona të tjerë apo të ketë përdorur mjete për t’u larguar.
Familjarët e Pashko Ujkës, ish-deputeti që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme nga një atentat mafioz në Shkodër, mohojnë që ai të ketë pasur borxhe, apo konflikte me ndonjë njeri për shkak të detyrës si ish-deputet apo ish-kryetar i Bashkisë së Velipojës. 64-vjeçari është qëlluar vetëm me një plumb, dhe bashkëshortja e tij që ishte ngjitur me Ujkën, ka menduar fillimisht se ka pësuar atak kardiak, por më pas e ka parë të mbuluar me gjak dhe ka lajmëruar ambulancën për ta dërguar në spital.
Pashko Ujka, vuante nga sëmundja skleroza multiple dhe me parkinson. Ai dilte shëtitje në Shkodër për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, dhe nuk lëvizte në distanca të mëdha. Madje ai së fundmi ishte kthyer nga Gjermania, pasi kishte shkuar që të kurohej atje. E vetmja provë në duart e prokurorisë së Shkodrës janë kamerat e sigurisë në zonën përreth lulishtes, ndërsa autori nuk është identifikuar.