Prokuroria i kërkon Gjykatës së Krimeve të Rënda 35 vite burg për Bashkim Mekollin, i cili akuzohet se vrau me sqepar bashkëshorten e tij në vitin 2017, Demirkë Mekolli.
Në lidhje me vrasjen e bashkëshortes, ai ka pasur qëndrim pohues duke e pranuar dhe është shfaqur i penduar gjatë procesit të zhvilluar te Krimet e Rënda, ndërsa akuzën e “Armëmbajtjes pa leje”, i dyshuari nuk e ka pranuar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Pogradecit, ndërsa sipas Prokurorisë, e ka vrarë bashkëshorten e tij me sqepar, duke e goditur disa herë, pas një sherri, ndërsa pas krimit, në momentin që Policia ka kryer kontroll në banesën e tij, ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila përdorej pa leje nga i pandehuri.
Ndërkohë, përsa i përket akuzave të ngritura më herët nëse autori i vrasjes vuan nga probleme të shëndetit mendor, janë rrëzuar nga akti i ekspertimit dhe kartela klinike nga Spitali i Pogradecit.
Dyshohet se shkak për vrasjen është bërë gjendja e dehur e Mekollit, i cili shpesh bëhej xheloz për të duke e keqtrajtuar më pas, pavarësisht se Mekolli njihej si një njeri i qetë dhe i respektueshëm në atë zonë.
Babai i të pandehurit, në një intervistë për “Panorama”, është shprehur se djali i tij ishte në depresion dhe se shpesh ka qenë i dhunshëm.
“Nusja ishte e mirë dhe e rregullt, por im bir ishte i sëmurë dhe s’kishim çfarë t’i bënim. Vite të tëra me atë gjendje dhe unë thuajse nuk flisja fare me të, sepse çdo herë e kthente në sherr. Ishte shumë agresiv, i dhunshëm dhe vetëm grindej, për vite të tëra kjo gjendje ka qenë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, disa ditë pas vrasjes, reagoi dhe djali i viktimës në atë kohë 16 vjeç, Emiliano Mekolli, i cili nga Italia, kërkoi që babai i tij të dënohej me burgim të përjetshëm, në mungesë të një dënimi më të rëndë.
Në intervistë, ai rrëfen, se pasi i ati ishte kthyer nga emigrimi, dhuna ishte bërë një akt i vazhdueshëm, duke shtuar se me leket e fituara ne emigrim ai kishte blerë nja armë, me të cilin ushtronte presion ndaj tij dhe nënës së tij.
“Ai na dhunonte barbarisht të dyve dhe konsumonte alkool, 6 vitet e fundit kam parë tmerr me sy
Ajo më rriti me sakrificë dhe mbillte çdolloj lule natyrale për ta shitur. Punonte ajo, për të ngrënë ai horri aty”, u shpreh Emiliano.
Ndërkohë, ai ka rrëfyer edhe një moment të dhimbshëm për të, kur i pandehuri ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij dhe ata janë larguar nga shtëpia.