Pas 8 vitesh, s’ka ende drejtësi për 4 të vrarët e 21 janarit. Ish-kreu i gardës dhe 2 ish-vartësit e tij bënë nga 1 vit e pak burg për “vrasje nga pakujdesia” të demonstruesve para kryeministrisë. Më 2016, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e prokurorisë për rihapjen e dosjes. Rezerva për gjykimin nuk kanë vetëm familjarët, një pjesë e oponionit publik, por edhe ndërkombëtarët.
SHBA dhe BE, e kanë theksuar vazhdimisht, se kërkojnë një hetim të plotë të asaj ngjarje tragjike. Kjo nënkupton më së paku marrjen në pyetje të Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Hysni Burgajt, që atë ditë panë gjithçka nga zyra e kreut të qeverisë. Basha dhe Berisha, kanë mohuar shpesh çdo lloj përgjegjësie, me arsyetimin se garda ka protokollin e vet të veprimeve në raste trazirash.
Por Berishën e tradhtuan nervat vitin e shkuar, kur deklaroi hapur se ishte penduar që nuk i kishte dhënë një “ndëshkim ekzemplar” atë ditë Edi Ramës. Kryeministri ndihet vitet e fundit gjithnjë më në siklet përballë familjarëve të viktimave, të cilëve u ka lidhur pensione speciale.
Alibia e fundit e tij për vendosjen e drejtësisë, janë institucionet e reja të gjyqësorit. Mbetet të shihet nëse kjo do jetë e vërtetë. Apo nëse nën shantazhin e “revolucionit demokratik”, që po premton këtë pranverë dyshja Basha-Kryemadhi, do të ketë ndonjë pazar të papritur dhe të errët, si ai i 17 Majit 2017.