E diel, 20 Qershor, 2021
18.5 C
Tirana

Vrasja e Rashës, kush do mbajë përgjegjësi për “provat” që fajësuan viktimën?

Nga: MARSELA SINANI

Publikimi i një video-je ku tregohej momenti i ekzekutimit të të riut Klodian Rasha në mesnatën e 8 dhjetorit nga punonjës policie, ka rihapur disa çështje për publikun shqiptar. Dhënia e një prove të tillë vetëm në gjyq, ka ngritur për ekspertët pyetjet: Ku ishte kjo provë gjer më sot, dhe pse nuk ishte bërë publike? Kjo pyetje gjithashtu, ka sjellë përpara publikut edhe disa çështje që duket se kërkojnë jo vetëm një shpjegim, por edhe reagim dhe qëndrim nga aktorët që ndryshuan rrethanat e krimit të ndodhur nga ish-polici Nevaldo Hajdaraj.

Së pari, publikimi i videos së ekzekutimit të të riut, që duket qartë se nuk ka kundërshtuar apo kërcënuar punonjësin e policisë, dhe që është qëlluar pas shpine, sjell dyshime për pjesëmarrjen e institucioneve të ndryshme shtetërore në ndryshimin e rrethanave të ngjarjes.

Atëherë, përse u sajua prova si; arma, apo u hartua një e shkruar gjoja kriminale për të riun? Si u përhapën të dhënat për të riun në media? A do kërkojnë falje mediat dhe gazetarët që mbështetën versionin “zyrtar” se i riu dyshohej për “armëmbajtje” dhe “kundërshtim me forcë” të policisë?

Në këtë rrethanë, më shumë se sa gjakftohtësia e ekzekutimit të të riut nga një punonjës policie që ka humbur qetësinë dhe arsyetimin, ajo që e ka rënduar mësë shumti këtë ngjarje ishin dyshimet e vazhdueshme gjatë atyre ditëve për të fajësuar viktimën. Një pjesëmarrje e tillë e institucioneve në fshehjen e të dhënave dhe shtimin e provave kompromentuese dhe më pas, mbështetja e publikimit të të dhënave devijuese në media, i ngjan një rivrasje të dytë të të riut, i cili përveç humbjes së jetës, ishte cënuar edhe në figurën e tij morale.

Çfarë u tha pas vrasjes së Rashës nga policia?

Pas ngjarjes së rëndë, menjëherë dolën dëshmitë e para të dy efektivëve të policisë, të cilët ishin në shërbim mbrëmjen e 8 dhjetorit, në Laprakë, aty ku u ekzekutua 25-vjeçari Klodian Rasha. Në dëshminë e Nevaldo Hajdaraj, pretendohet se djali kishte armë dhe i ka thënë se do e vriste. “Duke qenë se ai nuk e ndalte vrapin, unë gjatë ndjekjes vura re që ai shtetas diçka nxori nga brezi dhe po e mbante në dorë dhe duke vrapuar më lëshoi kërcënim… mos u afro se do të qëlloj. Ai u kthye dhe me dorën me sendin e dyshuar si armë në drejtimin tim. Në atë çast jam rrëzuar përtokë dhe ashtu i shtrirë bëra qitje në drejtim të këmbëve të këtij shtetasi, duke pasur frikën se mos më qëllonte. Pastaj jam ngritur në këmbë dhe ai u tremb dhe u nis drejt një kthese dhe në errësirë, eca pak përpara dhe bëra qitjen e dytë, pra ende pa u futur shtetasi në kthesë. Kur iu afrova e dëgjova që rënkonte, dhe e pyeta a kishte marrë ndonjë plumb, por ai nuk mu përgjigj dhe kështu njoftova ambulancën”, ka thënë ai.

Ndryshe nga çfarë kishte dëshmuar, pamjet filmike të zbardhura për median tregojnë vrasjen nga ana e tij. Mister mbetet se kujt i përket arma që u gjet në një pellg me ujë në rrugicat ku kaloi 25-vjeçari, gjatë ndjekjes nga polici Hajdaraj. Fillimisht u tha se arma e gjetur pas vrasjes së Klodian Rashës dyshohej që i përkiste 25-vjeçarit. Më vonë kjo pistë u rrëzua.

Në njoftimin e parë të shpërndarë për mediat nga policia thuhej se Klodian Rasha “i drejtoi punonjësit të policisë një send të fortë, në dukje armë zjarri”, dhe ai në mungesë të ndriçimit ka qëlluar.

“Punonjësit e policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte, por personi nuk i është bindur urdhërit të policisë për të ndaluar. Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e punonjësit të policisë për të ndaluar, përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë, në dukje armë zjarri. I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë, punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital”.

Në njoftimin e dytë të policisë bëhej me dije se në zonën përreth u gjet një armë që dyshohej se i përkiste Klodian Rashës.

“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth, u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R, i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë me një krehër me fishekë”.

Fakti që viktima “ka qenë i armatosur” e përmend edhe njoftimi i fundit i SHÇBA-së.

Lexo edhe :   "Si ndiheni që përmendët shqiptarët?", gazetari grek: S’i nxorëm nga barku ynë

Nga grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e policisë“.

Më tej, policia pranoi se vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha pranë shtëpisë së tij, ka qenë në shkelje të ligjit. Në një njoftim të shpërndarë nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, thuhet se nga hetimi del se polici me inicialet N.H, qëlloi për vdekje Klodian Rashën në kundërshtim me ligjin.

Lexo edhe :   SPAK kalon për gjykim dosjen e grupit 'Çapja', ja për çfarë akuzohen

“Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të policisë N.H., bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Për sa më sipër, grupi i posaçëm hetimor, ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, thuhet në njoftimin e SHÇBA-së.

Po kështu, nga ekspertiza mjeko-ligjore është konkluduar gjithashtu se Klodian Rasha nuk ka qenë në ndikimin e lëndëve narkotike apo pijeve alkoolike.

Çfarë “provash” dha media?

Pamjet e publikuara dëshmojnë një fakt të hidhur. Klodian Rasha në asnjë moment nuk ka rrezikuar jetën ose shëndetin e policit. Po kështu, nuk ka patur perleshje dhe i ndjeri nuk ka patur armë, por është qëlluar pas shpine duke ikur. Këto prova të cilat i dispononte shteti, u publikuan pas zgjedhjeve. Cila është arsyeja?

Sapo ndodhi krimi fatal, në media menjëherë vërshuan një mori të dhënash të rreme, e madje thanë se i ndjeri ishte “me precedentë penal”. E cilësuan si “të sëmurë mendor” dhe “të armatosur” dhe “të rrezikshëm”.

Atëherë, po armën kush e hodhi në vendngjarje?

Në datën 8 dhjetor, në media u shkruajt se Klodian Rasha kishte probleme psikologjike. “Në vitin 2016 kur është arrestuar për “plagosje të lehtë me dashje”, 25-vjeçari ka plagosur një person me kaçavidë, ndërsa burimet raportojnë se ka patur probleme depresioni që më herët. Edhe familjarët, edhe banorë të zonës flasin për probleme psikologjike”, shkruhej në media.

Çfarë ndodhi në gjyq?

Një vit nga vrasja e bujshme e të riut Klodian Rasha, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vite burg për efektivin e policisë Nevaldo Hajdaraj. Ish-polici ka pranuar vrasjen dhe ka kërkuar falje ndaj familjes Rasha, ndërsa ka thënë se kishte menduar se i riu ishte i armatosur.  Me kokë ulur në seancë, Nevaldo Hajdaraj i ka kërkuar falje babait të Klodian Rashës.


Hadëraj ka pohuar se nuk do të donte kurrë që të ndodhte ajo vrasje, duke pretenduar se nuk e kishte kryer vrasjen me dashje. Nga gjykimi i shkurtuar, ai përfiton uljen e 1/3 të dënimit, që do të thotë se dënimi shkon deri në 13 vite e 4 muaj burg. Në procesin e zhvilluar dy muaj më parë, të pranishëm kanë qenë edhe familjarët e Rashës, të cilët janë përballur me ish-efektivin e policisë. Ky i fundit ka kërkuar falje para familjarëve të viktimës, teksa më pas ka qëndruar i heshtur dhe me kokën ulur, pasi për të ka folur pala mbrojtëse.

“Hetimet që nevojiten”

Pra, nëse polici Nevaldo Hajdaraj pranoi krimin dhe kërkoi falje, kjo ngjarje nuk mund të mbyllet këtu. Aktorë politikë në pushtet, drejtues dhe punonjës institucionesh në polici apo organe të tjera hetimore, si dhe media të ndryshme, i bënë të ndjerit një gjyq i cili ka nevojë të zbardhet. Ndërhyrja e hapur e institucioneve shtetërore për të inkriminuar viktimën, është një krim dhe kjo ngjarje mund të konsiderohet e zbardhur me të ndëshkuar reale nëse do të ndodhë edhe gjetja e fajtorëve të këtij krimi. Të paktën, familjarët e të riut Rasha, duhet të kenë faljen e kërkuar nga të gjithë ata që, për arsye politike apo për arsye përfitimi të pushtetit, nxituan të inkriminojnë viktimën.

                                       TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

OBSH e shpall të përfunduar shpërthimin e Ebolës në Afrikën Perëndimore

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se shpërthimi i virusit të Ebolës, që nisi në shkurt në Guinea, ka përfunduar. Ky virus vdekjeprurës, që përcillet...

Levandovski mban gjallë shpresat e Polonisë, Spanja komplikon kualifikimin

Përfundon ndeshja e grupit C, ku Spanja ka komplikuar kualifikimin, pasi Polonia i ka surprizuar, duke i rrëmbyer një pikë. Sfida u mbyll në...

Gjermani, gjenden dy piktura të shekullit XVII në një kosh plehrash

Policia gjermane po kërkon për informacion për dy piktura origjinale nga artistë evropianë të shekullit të 17, të cilat përfunduan në një kosh plehrash...

Kapacitetet e Kosovës për vaksinim në masë të popullsisë kundër COVID-19

Në Kosovë gjatë kësaj jave filloj vaksinimi në masë i qytetarëve kundër COVID-19, me synimin që të vaksinohen deri 320 qytetarë në muaj. Zyrtarë...

Mbi 1 milion vaksina/ Mbërrijnë në Rinas edhe 50 mijë doza të Coronavac

Mbrëmjen e sotme, kanë mbërritur në aeroportin ''Nënë Tereza'', 50 mijë doza të vaksinës kineze Coronavac. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi...