Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka shprehur mesazhin e ngushëllimit për vrasjen e efektivit të Krimeve në Komisariatin e Policisë së Lezhës. Gjatë kontrolleve antidrogë, u vra në krye të detyrës Saimir Hoxha. “Ngushëllimet më të thella familjes dhe kolegëve të oficerit të Policisë së Shtetit Shqiptar, i cili u vra në krye të detyrës.
Policia përballet me rrezik në emër të të gjithë qytetarëve, dhe ne jemi mirënjohës për heroizmin e tyre.
Shpresojmë që autorët të nxirren para drejtësisë”, shkruan Yuri Kim.
44-vjeçari Saimir Hoxha, me detyrë oficer i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, ishte pjesë e patrullës që kontrollonte për kultivimin e kanabisit në zonë, kur u qëllua për vdekje nga autori i dyshuar Aldo Rama. Efektivi 44-vjeçar, baba i dy fëmijëve, mori një plumb në zemër dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë. Autoritetet vijojnë punën në mënyrë intensive për kapjen e 21-vjeçarit.