Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi deklaron se qyteti që drejton po po përjeton periudhën e saj më të vështirë ku krimi po bën ligjin.
Me anë të një postim në rrjetin social “Facebook”, Ademi thotë se në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës.
“Ankthi për jetën dhe të nesermen po zbret frikshëm në këtë rajon” shprehet Ademi.
Kryebashkiakja lëshon edhe një apel për kryeministrin Rama por edhe për të gjithë aktorët e tjerë të jetës politike dhe publike.
“Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh!U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë!”
“Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim”, përfundon Ademi.